Hidromorava kërkon vëmendjen e qeverisë qendrore e lokale, për tejkalim situate

Hidromorava kërkon vëmendjen e qeverisë qendrore e lokale, për tejkalim situate

Drejtues të Kompanisë për Ujë “Hidromorava’ në Gjilan thanë se po vazhdojnë ta menaxhojnë situatën e thatësisë, që për rrjedhojë ka bërë që të ashpërsohen reduktimet dhe qytetarët të kenë mungesa të theksuara të furnizimit me ujë të pijshëm, transmeton Portali 2LONLINE.

Por, për tejkalim të situatës dhe shtim të resurseve, duhet patjetër ndërhyrje nga qeveria qendrore, ajo lokale dhe donatorë, që të kemi zgjidhje afatgjate.

Mungesa e të reshurave mund ta rendojë akoma gjendjen, kompania ka ndërmarr hapa emergjentë, me funksionalizim të disa puseve të reja dhe të disa puseve tjera që mendohen shpejtë të aktualizohen, si te FSK apo te Fidanishtja, por për tejkalim të situatës, por mbi të gjitha edhe për një zgjidhje afatmesme dhe afatgjate, duhet patjetër ndihma nga qeveria qendrore, sepse nevojiten investime më të mëdha që kompania nuk ka kapacitet t’i bëjë vet.

Kështu është thënë në një konference ku kryeshefi ekzekutivi i Hidromoravës, Muhamed Suliqi tha se që nga qershori i këtij viti, për shkak të mungesës së të reshurave, kemi hyrë në një situatë emergjente të furnizimit me ujë të pijes andaj edhe janë marrë masat për tejkalim të kësaj gjendje, transmeton 2LONLINE.com.

Ai tha se përveç reduktimeve dhe masave të ndërmarra për t’i parandaluar keqpërdorimet e ujit apo edhe të shfrytëzimi për nevoja tjera, jo të pijes apo sanitarisë, në mungesë të mjeteve e përkrahjes nga niveli qendror, kanë bashkëpunuar me komunën e Gjilanit dhe bashkërisht kanë investuar në funksionalizimin e dy puseve te kazerma e FSK-së, ndërkohë që edhe i treti është duke u bërë gati për t’u futur në funksion. Këto do t’i zbusin reduktimet.

Ai po ashtu tha se edhe te Fidanishtja është duke bërë gati futja në funksion e pusit që është hapur, ndërkohë që janë duke u bërë përpjekjet për të gjetur zgjidhje të reja, të shpejta, por edhe ato afatmesme dhe afatgjate.
Në këtë kontekst, kur jemi te zgjidhjet afatmesme dhe afatgjate ai ka përmendur si zgjidhje nga lumi Llapushnik apo edhe nga Shushtë, ku duhet të bëhen studimet e fizibilitetit, por që sipas tij, këto kanë kosto të papërballueshme për Kompaninë dhe në këtë drejtim duhet patjetër mbështetje e qeverisë qendrore, nga Banka Botërore, Banka Evropiane dhe donatorë të tjerë.

Përndryshe, Suliqi tha se nga burimi kryesore, Penda e Përlepnicës, nga ku furnizohen qytetarët me ujë, aktualisht nivelin e ujit e kemi 8.45 m. Ai tha se shirat që ranë këto ditë e kanë shtuar nivelin për 45 centimetra, pra pamjaftueshëm.

Ndërkohë, nëse do të ketë vazhdim të thatësisë, pra mungesë të të reshurave, situata mund të përkeqësohet, por megjithatë shpresohet në të reshura që do ta ngrisin nivelin e ujit te penda. Përndryshe, ai ka falënderuar qytetarët që e kanë kuptuar situatën dhe janë sjellë në përputhje me gjendjen ekzistuese.

Edhe Elhame Shefkiu, kryesuese e Bordit të Hidromoravës ka thënë se është hera e parë që Kompania ballafaqohet me një gjendje të tillë ku kemi rënie të nivelit të përmasave shqetësuese sa që rrezikon edhe ndërprerjen e furnizimit me ujë nga Penda e Përlepnicës, si burim kryesor. Për momentin nga penda merren 20 litra për sekondë, ndërsa kapaciteti mesatar në gjendje normale është 140 litra për sekonda, transmeton 2LONLINE.com.

Ajo shtoi se me futjen në funksion të puseve, si te FSK-ja, është shtuar sasia. Tani momentalisht prej burimeve ekzistuese, kemi 169.3 litra për sekondë për qytetin e Gjilanit, ndërsa në kushte normale, jo të thatësisë, janë 339 litra në sekondë, që i bije se aktualisht kemi përgjysmë ujë më pak.

Prandaj, ajo shtoi se është domosdoshmëri ndërhyrja e institucioneve qendrore për zgjidhjen afatmesme dhe afatgjate të furnizimit me ujë në këtë rajon, sepse këto projekte kanë kosto të lartë që kompania nuk i përballon dot.

Edhe Shefkiu kërkoi që qytetarët ta përdorin sa më racionalisht ujin e pijshëm që ta tejkalojmë së bashku këtë krizë. Ndërkohë, kompania ka plane e projekte edhe për menaxhimin e situatës edhe për zgjidhje, por vetëm se nevojiten mjete dhe vëmendja e nivelit qendror dhe lokal, përkrahja e të cilëve është e domosdoshme, transmeton 2LONLINE.com.

KOMENTE