Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor, kërkohet supsendim edhe për tre të tjerë
IPK i rekomandon Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor të arrestuar si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), bazuar në autorizimet ligjore dhe pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, ka arrestuar dje një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 17 nëntor 2026 pas orës 15:00 në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë policore me katër zyrtarë policorë brenda oborrit të shkollës së fshatit kanë arrestuar një qytetar dhe të njëjtin e kanë prangosur.
Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se njëri nga zyrtarët policorë ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore duke përdorur forcën edhe pas prangosjes së qytetarit, si pasojë e së cilës ky i fundit ka pësuar lëndime trupore.
Pas arrestimit, qytetari është dërguar në stacionin policor, mirëpo sipas gjetjeve fillestare hetimore, zyrtarët policorë nuk e kanë njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale. Më pas, qytetari është liruar, ndërsa ndaj tij është shqiptuar një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike përkatësisht për sulm verbal.
IPK sqaron se ndaj zyrtarit policor të arrestuar ka pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të përbëjnë informacion relevant në kuadër të trajtimit dhe vlerësimit të veprimeve të tij zyrtare.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, zyrtari policor është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur. Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, hetuesit e IPK-së, në kuadër të procedurave administrative dhe në interes të zhvillimit të papenguar të hetimit, i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor të arrestuar, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast.
“IPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj ligjor për hetimin e dyshimeve për keqpërdorim të detyrës dhe tejkalim të autorizimeve policore, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe fuqizimit të integritetit në Policinë e Kosovës”, thuhet ne njoftim. /2LONLINE/
