(Meditim lexuesi për veprën “Sytë e heshtjes” të Anton Nikë Berishës, paraqitur në “Tavolinën poetike të së shtunës”, Gjilan, 27 prill 2019).
Shkruan: Sherafedin KADRIU
Nuk e di në është heshtja lutje apo lutja heshtje, apo mos janë të ngjizura me njëra tjetrën, duke përjashtuar konceptin gjuhësor të të mosfolurit, ose të të folurit pa zë. Të këtillë duhet konceptuar heshtjen e Nënës Tereze – heshjte që vepron me tërë qenien e saj. Se mu kur heshtet, lidhen dy kategori veprimesh: njerëzorja me hyjnoren. Prandaj, jam shumë i sigurt se të krijosh duke pasur për bazë thëniet, më mirë lutjet e Nënës Tereze, është guxim i madh.
Çfarë mund të thuash më shumë, më etike dhe estetike seç ka thënë ajo e shpirtëzuar me Hyjin? A mund të heshtësh siç ka heshtur Nëna e Njerëzimit, duke pritur ngjizjen me fjalën e Hyjit?! E vështirë, boll e vështirë.
Heshtja e e ndriçimit hyjnor nuk është qetësia, por veprimi që nis me lutjen, se duke u lutur beson, duke besuar dashuron, duke dashuruar shërben dhe duke shërbyer paqëson zemra. E ku ka më të paq se zemra e Hyjit?
Prandaj, në rolin e lexuesit, assesi të farë kritikut, kërkova lumturinë e Hyjit në vargjet heshtjeje dhe shpesh e gjeta. Më shpesh sesa mund ta ketë besuar dhe synuar vetë poeti, sepse vargjet e kësaj poezie janë fjalë që heshtin në lëvizje. Ndërsa, lëvizja është tej shpirtërores, tej psikologjikes, merr trajtë hyjnore.
Për komunikim thellësor me lexuesin, “Syve të heshtjes” u mjafton emri i Nënës Tereze bashkë me frymën e bukurisë së saj, kur flitet pa zë. Mund t’i shtohet vetëm edhe Fjala paraprake e autorit, se janë mësimet nga tekstet e Nënës Tereze për heshtjen dhe rëndësinë e saj që janë gërshetuar e shtrirë në tekstin poetik. As mua dhe as të tjerëve, nuk u duhet tjetër, veç heshtjes së vetes sonë, për të bredhur fjalëve befasuese, të ndjeshme e të brishta njëkohësisht dhe të thella figurativisht.
“Sytë e heshtjes” është nga ato metaforat e rralla që ndërtohen nga kontrasti, që i gjejmë në poezitë më të arrira artistikisht. E zakonshmja, sytë janë për të parë dhe për të qarë.
Po ç’i bashkon ata me heshtjen? Mu shikimi dhe loti. Kur sytë heshtin, ata mu atëherë veprojnë, zhbirojnë, si sytë e Nënës Tereze që s’kish skutë varfërie që s’e kish parë e për të cilën s’kish qarë. Po këtu, nuk përfundon veprimi, sepse heshtja nuk është gjysmëvdekja, është besimi në pritjen e fjalës së Hyjit, që vjen e drithëron zemrën e njeriut.
Poema e strukturuar në 33 këngë, rrallë ndonjëra prej tyre me me pak a më shumë se 14 vargje, që në përballjen e parë me lexuesin, i ofron atij ndjenjën e së bukurës, një ritëm muzike që rrjedh qetësisht, siç fliste vetë Nëna e Njerëzimit. Tek më pas vjen kuptimi me domethënie edhe për arsyen, edhe për imagjinatën. Kjo është poezia e një gjuhe të thjeshtë, edhe për lexuesin e rëndomtë. Gjuhë e zakonshme, gjuhë e gjallë, hasur kudo, e cila në këto vargje nuk ka ardhur lehtë, poetit i është dashur punë. Nuk e di në është puna, përvoja, qëmtimi a muza bujare që kanë krijuar vargje të këtilla. Ndoshta të gjitha së bashku kanë heshtur për t’u shfaqur si hiri i Hyjit.
E di, që poeti gjë kryesore konsideron ekzistencën e fjalëve dhe thuarjen e tyre, bërjen poezi ndryshe nga të tjerët. Ç’është e vërteta e përmbush misionin që i ka vënë vetes me gjuhën standarde, rrallë të kompozuar me ndonjë nuancë të gegërishtes. Aty gurra bunon nga toka e kjason gëzimi, aty me pingërrimën e shiut ndrisin shkreptimat etj. etj. Aty krijohen neologjizma edhe që shqipen e pasuriojnë, e bëjnë më të begatë, si vorbullon (folje) nga emri vorbull, ose mbiemri shumëzor nga emri shumës, ose nga ujëvarë (emër) formon neologjizmin ujëvart, si mbiemër etj.
Dhe mu për këtë, dhe jo vetëm për gjuhën, në përballje me lexuesin, jo me vështrimin për poezinë e tij, por për heshtjen që është krimbi i dyshimit, autorin edhe mund ta kapë ankthi. Ndryshe është me mua, kënaqësia ime është më e madhe se ajo e poetit sepse si lexues s’kam pse shqetësohem, s’ka pse më zë ankthi, unë kam kërkuar kënaqësinë në këto vargje dhe po e përsëris: e kam gjetur shpesh. E kam gjetur në strukturën e kësaj poeme, në atë “diçkanë”, e cila më ka mikluar imagjinatën. Më ka kënaq me mënyrën sesi e përçon atë që do poeti. N
uk jam ithtar i formës, po as kundër saj, e shoh të lidhur me përmbajtjen, e strukturimi nuk është forma në poezitë e këtij poeti, – është mënyra e shfaqjes ndryshe e unit tënd prej vetvetes duke shpaluar një projeksion fantastik për heshtjen, jo për heshtjen, po për sytë e heshtjes sepse heshtja pa sy nuk sheh as errësirën. Mos t’ju habisë kjo thënie! Nuk ka më keq se të mos shohësh errësirën e thellë, a atë natën pus të zezë. Pak gjë është drita ndonjëherë! Atë edhe mund ta projektosh në iamgjinatën tënde.
Parë kështu, kjo është poema për heshtjen, nga më të rrallat që kam lexuar diçka të këtillë, për përsiatjet nga më të ndryshmet për të, saqë lexuesi para se të jetë përballur me përsiatje të këtilla etike, filozofike, psikologjike, gjuhësore, poetike dhe njerëzore e hyjnore në të njëjtën kohë, zor se ndonjëherë do ta ketë degdisur imagjinatën e tij deri në pafundësi, sepse heshtja që është veprim njerëzor, bunon nga ndriçimi i lëvizshëm hyjnor. E, ec e gjeja fundin hyjnores?