DYLON

Heshtja që mbijetoi – Tregimi që fitoi çmimin e dytë

Heshtja që mbijetoi – Tregimi që fitoi çmimin e dytë
Avatar photo Redaksia

Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit”, 2026 – Pjesa letrare “Pena e Flakës” – konkursi anonim letrar – Tregimi që fitoi çmimin e dytë

Drita LOSHI

EkoHigjiena

HESHTJA QË MBIJETOI

Mikrofonin e afruan më shumë seç duhej. Ishte i ftohtë dhe i ashpër, si ajri i dhomës. Ende nuk kisha thënë asnjë fjalë, sikur zëri im të ishte diçka që mund të thyhej po ta prekja.

“Kur të jeni gati”, tha burri përballë. Nga ana e tij e majtë ishte një grua. Asnjëri nuk më shikoi në sy. Fletoret para burrit ishin të hapura, faqet e bardha duke reflektuar dritën e dobët të llambës. Gjithçka dukej e pastër, e rregullt. Si të mos kishte vend për atë që nuk rregullohet kurrë.

Unë jam gati prej vitesh.

Vetëm nuk kam ditur si të flas pa u shpërbërë.

Lufta nuk fillon kur fillojnë krismat. Fillon kur mëson të jetosh pa e ndier trupin tënd. Kur kupton se heshtja mund të jetë një formë mbijetese. Kur frymëmarrja bëhet gjuha e vetme që nuk të tradhton, sepse edhe ajo del pa fjalë.

Dritarja ishte e mbyllur. E vura re menjëherë. Gjithmonë i shikoj dritaret. Ato më tregojnë dallimin mes asaj që është brenda dhe asaj që është jashtë, mes asaj që duket dhe asaj që fshihet. Atë ditë, dritarja ishte hapur. Ajri hyri pa leje. Më vonë, e mbylla përjetë brenda meje.

Më pyetën për emrin.

E thashë. Zëri më tingëlloi i huaj, sikur t’i përkiste dikujt tjetër.

Më pyetën për vitin e lindjes.

E thashë. Buzët më dridheshin.

Kur më pyetën për luftën, mendova për dyshemenë. Ishte e ftohtë. Gjithmonë e kujtoj të ftohtën. Jo fytyra, jo zëra, jo duar. Asgjë. Dyshemenë. Trupi im e njeh më mirë atë se çdo kujtim tjetër.

Ka kujtime që nuk vijnë si pamje, por si ndjesi. Pesha e një trupi që nuk është i yti. Jargët që të ndotin deri në palcë. Era e pluhurit që të mbush mushkëritë. Heshtja që ta mbyll gojën përpara se të mendosh të bërtasësh. Aty mësova se trupi mund të ndahet nga njeriu dhe të vazhdojë të ekzistojë pa leje, si send i harruar në një dhomë të huaj.

Pas asaj dite, trupi im nuk më pyeti më. U bë një shtëpi e brishtë, e heshtur, ku unë ecja me kujdes, sikur çdo hap të mund ta shembte. Mësova të mos rri para pasqyrës. Të mos shihja njerëzit në sy. Frika nuk ishte nga ata. Ishte nga unë, nga ajo që kishte mbetur dhe nuk duhej të zgjohej kurrë.

Më thonë se jam e fortë. Se kam mbijetuar. Nuk e dinë se mbijetesa kërkon harresë. Dhe harresa nuk është gjithmonë tradhti. Nganjëherë është mënyra e vetme për të mos u copëtuar çdo ditë nga e njëjta kujtesë që kthehet pa trokitur.

Askush nuk më pyeti çfarë ndjeva. Pyetjet ishin gjithmonë të sakta, të qeta, të sigurta: a pashë, a dëgjova, a mbaj mend. Askush nuk pyeti si është të jetosh kur trupi yt bëhet provë, kur turpi nuk është i yti, por të ngjitet si hije dhe ecën me ty kudo.

Zhurma e fletës që kthehej më trembi më shumë se zëri i tij. Disa zëra nuk durohen, edhe kur flasin butë.

“Mund të ndalemi”, tha.

Jo. Nëse ndalesha, kjo do të ishte dëshmia ime: një grua që nuk e çoi fjalën deri në fund. Por fundi nuk ekziston. Ka vetëm vazhdim. Dhe vazhdimi kërkon që disa gjëra të mbeten aty ku janë, të pathëna, të paprekura, që të mos na shkatërrojnë përsëri.

Kur linda fëmijët e mi, trupi im u tërhoq pa më pyetur. Duart më dridheshin, jo nga frika për ta, por nga ajo që trupi im ende mbante mend. U mësova atyre të flasin fort. Të mos kenë frikë nga zëri i tyre. Vetë mbeta pa zë. Ua dhashë atyre atë që nuk e përdorja dot, sikur zëri të ishte diçka që trashëgohet.

Më pyetën nëse doja që dëshmia ime të regjistrohej. Të ruhej. Të mos harrohej. Fjalë të mëdha, të pastra, si raftet ku gjithçka ka vend dhe numër.

E kuptova atëherë se frika ime nuk ishte harresa. Ishte kujtesa e gabuar. Që zëri im të bëhej fjali e shkurtër, numër, statistikë. Që ajo ditë të ishte gjithçka që unë isha.

“Disa gjëra nuk regjistrohen”, thashë.

Ata ngritën kokën. Për herë të parë më panë. Jo si dosje. Jo si dëshmi. Si njeri.

U ngrita. Karrigia bëri zhurmë. Gjithmonë ka zhurmë kur njeriu çohet nga e kaluara. Dritarja ishte ende e mbyllur. E lashë ashtu.

Jashtë, ajri ishte i ftohtë dhe i vërtetë. Mora frymë thellë. Zëri nuk më doli. Nuk kishte nevojë.

Disa dëshmi nuk jepen për historinë.

Jepen që ne të vazhdojmë të jetojmë.

Shifra: “Axel”