Heshtja e kobshme!
Zejnullah Jakupi
Shqiptarit kurrë nuk ju nda gazepi! I vrarë e i përndjekur e i arratisur, si në luftë ashtu edhe në kohë paqeje. Edhe sot ata po ikin nga vendi i vet, për një jetë më të mirë, po ikin, me kokën në çanta. Qeveria po heshtë! Si ti biem në fije kësaj pune, vëllaçko? Qeveria ka obligim ligjor dhe moral, të ndërmarrë diçka ose të ndërmerrte para se të ikin njerëzit. Ajo heshti dhe e humbi betejën e informimit, ose dështoj plotësisht në këtë drejtim. Ose nuk reagoi si duhet reaguar në kohë krizash e skandalesh. Pasuan ikjet ilegale masive, madje vendi po fundoset në krizë? Shkurt përgjigja; heshtja nuk është zgjidhja.
Kundër heshtjes do vlente slogani i PR-së i cili thotë; Bëje mirë dhe fol për çështjen.., kërko dhe thuaje të vërtetën, është kultura filozofike e cila ka zanafillën në kulturën perëndimore. Gazetarja e lirë Gabriele M. Gerlach cila është mësimdhënëse për Public Relation dhe bashkëpunëtore e gazetës Berliner Zeitung, e pyetur si duhet reaguar në raste të tilla, ajo thotë. “Kështu është në kulturën tonë, në kulturat tjera mund të jetë heshtja po jo në Gjermani. Kërkimi dhe thënia e të vërtetës është synimi dhe jo mbajtja fshehur ose mbyllja dhe pengimi që të mos e kuptojmë të vërtetën”.
Qeveria e Kosovës nuk mund të ankohet se nuk ka kuadro për të realizuar kampanja të ndryshme sensibilizuese. Janë një numër i madh ekspertësh në Kosovë dhe jashtë saj të specializuar në fushën e informimit, në Public Relation, por ajo ka mbetur e vetmuar, e rrethuar me bashibozukë dhe injorantë që marrin rrogë në qeveri dhe nuk bëjnë asgjë. Tani, si në kohën e eksodit, Bllaca e 2015-së, hyri në fuqi.
Të mos keqkuptohemi, po më pengojnë lajmet ditë për ditë keq e më keq për Kosovën. Lind pyetja, pse kjo qeveri si tjerat para kësaj kanë detyruar shume bashkatdhetarët të ndërrojnë shtetësitë e të tjerët i detyrojnë të ikin nga vendi i vet, se nuk u çeli asnjë derë për punësim dhe integrim në shoqëri. Këta refugjatë tani po mbushin kampet e refugjatëve në Berlin. Numri veç po shtohet, më keq se gjatë kohës së luftës 1998/1999. Çfarë qeverisje e “mirë” kjo…u turpëruan?! E si mund të mburret kjo qeveri, përpos nëse ka një marrëveshje të fshehtë dhe është zotuar ta realizojë zbrazjen e Kosovës, e me këtë reduktimin e numrit të papunëve, e kundërta e premtuar me sloganin e proklamuar gjatë zgjedhjeve për punësim dhe mirëqenie… Imazhi i Kosovës tashmë është kthyer me fytyrë për tokë, tupani po rreh për ata që kanë veshë..!
Ku mbeti informimi dhe dialogu me qytetaret, para se të pasonin ikjet!
Në rastet e tilla çdo qeveri normale do të duhej të reagoj, të zhvillojë një kampanjë informimi dhe të zhvilloj dialog me qytetaret të informoj ata, për hapat që kanë marrë, tu ofroj zgjidhje që të mos migrojnë. Edhe në fushën e dialogut dhe informimit kishte një heshtje të gjatë dhe qytetaret u lan të vetmuar. Tani sado që mund të paguhen reklama të shtrenjta në RTK dhe televizione tjera me mesazhe ironike(sensibilizuese!), duket tepër vonë, mbase tema numër një në media gjermane janë bërë refugjatët nga Kosova dhe siç shihet kjo nuk ka të ndalur. Me këtë po dëmtohet edhe reputacioni i shtetit dhe po shtohet zullumi i kësaj qeveri të dështuar dhe aspak përgjegjëse për valët e migrimit të shkaktuar edhe nga vet keq-qeverisja e saj.
Driton Çaushi kryetari VV në Gjakovë para ca kohësh ishte ne Berlin ku kishte vijuar doktoraturën në universitetin gjerman dhe tani duke i parë këto pamje të mjera thotë se është i shokuar. Ai thotë se asnjëherë s’i ka ndodhur të ndjejë një neveri të tillë në Berlin, si ajo që kishte ndierë këto ditë.
„Nga një qytet shumë i dashur mu shëndrrua në një të shëmtuar e të panjohur. Nuk kishte asnjë faj qyteti por pamjet dhe përjetimi në një nga kampet e refugjatëve në këtë qytet. Pamje surreale në vitin 2015, nga kampusi i universitetit nga i cili kam shumë kujtime te mira. I kam gjykuar, ndoshta si shumë prej jush, të paktën disa njerëz që në mendimin e parë ndoshta nuk kanë shumë arsye të ikin nga Kosova. Një gjykim i tillë tanimë më duket shumë naiv. Naiv kur sheh se sa të dëshpëruar e të pashpresë janë këta njerëz“.
Kampet e refugjatëve në Berlin po shtohen dita ditës, bashkë me lajmet e kronikave per Kosovën, për shtetin e dështuar dhe teorite konspirative. Ndërsa përgjegjësit e saj kanë futur veshët në lesh”! Marrin rroga të mira, jetojnë si në Monaco, e pse të brengosen!
Atyre nuk u pengojnë as pamja negative në për qytetet e perendimit, as në Kufi të Hungarisë. Ata nuk duan ta kuptojne eksodin e shqiptarëve. Ju duket si një “jashtëqitje”. Sikur thonë me gjysmë zëri, “ikini shkoni ku të doni se na morët fytyrën..”! Turpi në kampet e Berlinit duket sheshit, si në kohë lufte, në çdo kamp janë mbi 200 azilkërkues. Aty, për shkak të dendësisë së shtretërve, nuk bëhet gjumë, nuk jetohet. Më se keqi e kanë foshnje të vogla dhe fëmijët të cilët nuk mund ti përballojnë këtyre kushteve. Shumë prej tyre kanë kërkuar asistencë mjekësore. Flitet se përveç vizitave individuale të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, deri më tani nuk ka pasur as një vizitë apo ndonjë interesim nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin. Kampi i Berlinit ka dy muaj që është hapur për ti strehuar refugjatët kosovar.
Athua Kosovarët e kanë humbur shpresën”?
Këtë pyetje e shtron gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” (përkthimi i pasazheve nga Enver Robelli). Kjo gazetë krahason ikjen e kosovarëve nga atdheu i tyre me arratisjen e gjermanëve nga Republika Demokratike e Gjermanisë, një shtet diktatorial nën kontrollin e sovjetikëve: “Kur ka ekzistuar Republika Demokratike e Gjermanisë kjo quhej votim me këmbë: me mijëra njerëz braktisnin vendin, ata dëshironin të shkëputeshin nga mungesa e perspektivës, duke besuar se nën këta sundimtarë nuk do të ndryshojë asgjë. Kjo tani po ndodh edhe në Kosovë. Pas një afati disamujor në fillim të dhjetorit – më në fund – u formua një qeveri e re në Prishtinë, por kjo është një qeveri e vendnumërimit. Nën presionin edhe të shteteve të BE-së dy parti të armiqësuara u bashkuan në një koalicion. Reforma të thella, luftë e domosdoshme kundër korrupsionit dhe një sistem i pastër i drejtësisë nuk mund të priten nga kjo qeveri. Kështu kanë shkruar edhe gazetat e mëdha të vendit. Pas pak filloi shpërngulja masive.
Mjerimi më i madh se dashuria për atdhe! “Ky vend (Kosova) po shpërngulet, shkruan gazeta. “Është një vend shumë i vogël me papunësi shumë të madhe. Mjerimi ekonomik në Kosovë është më i madh se dashuria për atdhe e njerëzve. Dashurinë për atdhe ata nuk mund ta hanë. Ajo nuk krijon vende pune. Andaj njerëzit po nisen drejt një vendi ku gjoja ka mjaft punë: në Gjermani. (…) Shteti i vockël i quajtur Kosovë ka nevojë për struktura të cilat janë të durueshme për njerëzit. Evropa Perëndimore duhet të ndihmojë. Kosovës i duhen fabrika. Ky vend duhet të bëhet vend ku njerëzit kanë dëshirë të rrinë”./2L ONLINE/
