DYLON

Heshtja e grave të dhunuara, heshtja më e madhe e pasluftës

Avatar photo Redaksia

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka folur sot në teatrin Kombëtarë për gratë e dhunuar, për heshtjen e tyre të 15 viteve pas luftës, duke konsideruar kështu se është heshtja më e madhe e pasluftës. Ajo dha këto vlerësime gjatë premierës së filmit “Tri dritare dhe një varje”, e regjisorit Isa Qosja, i cili film rrëfen historinë më të rëndë të periudhës së luftës, të mijëra grave e vajzave të Kosovës, përjetimet e të cilave, sipas të parës së vendit Jahjaga, kërkojnë ndërgjegjësimin jo vetëm kolektiv por edhe përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit, si qytetarë të këtij vendi.

“Rrëfimet e rënda të luftës nuk janë të lehta të dëgjohen dhe shumë më pak të pranohen. Rrëfimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, deri më sot kanë qenë heshtja më e madhe e pasluftës dhe përjashtimi i padrejtë i tyre nga shoqëria jonë. Ikja prej tyre është ikje prej të vërtetës së rëndë, prej njohjes së padrejtësisë së madhe të ushtruar mbi më të dashurit tanë, padrejtësi që i thyente ato dhe përmes tyre na thyente të gjithë ne. Përballja me të vërtetën dhe mbi të gjitha vënia në vend e drejtësisë për to, që kanë vuajtur dyfish pasojat e luftës, dhunën mbi to dhe një periudhë të gjatë prej 15 vjetësh të stigmatizimit do të arrijë t’iu kthejë atyre dhe gjithë shoqërisë sonë – qetësinë dhe paqen që lufta padrejtësisht jua mori”, ka thënë Jahjaga gjatë fjalimit të saj.

EkoHigjiena

Ndërsa për rrëfimet e filmit dhe për vetë filmin, Jahjaga, thotë se i jep zë shumë zërave të heshtur të vajzave, grave, motrave e nënave tona.

“I jep zë atyre që kanë kaluar një jetë të tërë të dhimbjes dhe na kujton – si shoqëri – se vendi i tyre është këtu së bashku me ne. Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre por mund të sigurohemi që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, dhe nga krimi i kryer padrejtësisht mbi to”, ka thënë Jahjaga.

Në shfaqjen e kësaj premiere, Jahjaga ka thënë të jenë bërë bashkë të shikojnë këtë vepër artistike, që sipas saj sjell përpara nesh një periudhë jo fort të largët të historisë sonë, dhe që prek një temë të veçantë të mbyllur për shumë vjet.

“Dhe prandaj përkushtimi ynë për një shoqëri të shëndoshë, me lirinë e secilit prej qytetarëve, është përkushtimi ynë edhe për të sjellë drejtësinë për këto gra e vajza, dhe për të zgjuar vetëdijen se dhuna seksuale si mjet i luftës, të ndalohet dhe të mos përsëritet asnjëherë, kudo qoftë në botë. Sonte me vete do të marrim rrëfimin tronditës të një gruaje që fatkeqësinë e saj e ka kthyer në forcë. Asaj pesha e rëndë e krimit nuk ka arritur t’i thyej shpirtin e pastër. Paragjykimet nuk kanë arritur ta turpërojnë. Guximi, forca dhe dashuria e saj e ngërthen të vërtetën e vetme për to – Ato janë heroinat tona”, ka thënë ajo në fund të fjalimit.