Heroizmi i diplomacisë tonë

Heroizmi i diplomacisë tonë

Në fillim të muajit Mars të këtij viti, duke shfrytëzuar rrugën tranzitore përmes Gjeorgji-së për në Francë, R.B. ndalohet nga autoritetet franceze duke u kthyer prapa, pikërisht në ditët kur Gjeorgjia vendosi karantinën dy javore për çdo udhëtarë që hynte në atë shtet. Pas karantinimit dy javor, R.B. kishte provuar të hynte në Turqi përmes rrugëve tokësore. Por, për fatkeqësinë e tij, në kuadër të masave parandaluese të pandemisë, Turqia kishte mbyllur kufijtë, duke mos lejuar hyrjen e asnjë udhëtari përveç shtetasve turq.

Shkruan: Milaim Sylejmani

Mosnjohja e ndonjë gjuhe të huaj dhe mungesa e përvojës në udhëtime jashtë vendit, e rënduan shumë gjendjen e R.B. Mundësia e vetme e mbetur për të kërkuar ndihmë dhe ngushëllim ishin telefonatat.

R.B. kishte kontaktuar familjarë, miq dhe dashamirë (falë Zotit në situata të tilla solidariteti ynë si popull asnjëherë nuk ka munguar). Kështu, përmes njërit nga bashkëluftëtarët e mi Arben Ahmeti i cili aktualisht gjendet në Francë u kërkua ndihmë edhe nga unë. Përmes bisedës sime me të, ndër të tjera arrita të kuptoj se bëhej fjalë për një djalë i cili kishte mbetur jetim së bashku me tre vëllezërit dhe dy motrat e tij pasi që armiqtë shekullor serbo-sllavë ua kishin mbytur babanë me tortura mizore. Pra, ishte rritur nën përkujdesin e nënës heroinë dhe njerëzve të vullnetit te mirë, derisa ishte aftësuar për punë.

R.B. së bashku me vëllezërit e tij kishin arritur të hapnin një biznes për servisim dhe riparimit të automjeteve (ngjyrosje dhe riparime shtesë të karrocerisë). Puna cilësore dhe kujdesi i vazhdueshëm ndaj konsumatorëve u siguronin të ardhura të mjaftueshme, duke u mundësuar të ndërtonin dy shtëpi, duke përmirësuar kështu mirëqenien e gjithë familjes. Pavarësisht kësaj, si shumë të rinj, duke shpresuar dhe duke mbivlerësuar mundësitë në perëndim, e në anën tjetër duke nënvlerësuar të ardhurat nga biznesi, R.B. ishte nisur për mërgim!

Është e qartë se ne situatën në të cilën ai ndodhej askush nga ne si individ nuk kishte mundësi t’i dilte në ndihmë, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit. Ishin institucionet kredibile të shtetit tonë të cilat e bënë atë, duke filluar nga angazhimi i strukturave komunale të Vitisë, qendrës emergjente ndërministrore të krijuar nga Qeveria e Kosovës (task forca) qysh në fillim të pandemisë, e mbi të gjitha ishte angazhimi i Ambasadës së Kosovës në Turqi.

Stafi diplomatik i kësaj ambasade, duke përfshirë konsujt dhe atashetë janë angazhuar me të gjitha kapacitetet, dhe kanë shfrytëzuar çdo mundësi ligjore dhe diplomatike, për ti dalë në ndihmë këtij të riu. Meqë autoritetet turke tanimë kishin ndaluar hyrjen për të gjithë shtetasit e huaj (pavarësisht emergjencave). Përkundër angazhimeve të mëdha të ambasadës, për shkak të mbylljes së kufijve R.B. në fluturimin e organizuar me datën 21.04.2020 edhe pse ishte i futur me prioritet në listën e udhëtarëve nuk u arrit që t’i mundësohej udhëtimi.

Stafi ynë diplomatik, konsulli i përgjithshëm në Stamboll dhe konsujt tjerë, gjatë gjithë kësaj kohe kishin krijuar raporte thuaja familjare me R.B. duke bashkëndjerë gjendjen shpirtërore dhe emocionale të tij, i telefononin gati se çdo ditë. Ndërkohë, i kishin siguruar edhe një donacion nga njerëzit vullnetmirë në vlerë prej 800 dollarësh për shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të tij.

Duhet ta falënderojmë edhe qytetarin gjeorgjian me emrin Gjorgje te i cili banonte me qira, e i cili i kishte ndihmuar mjaft shumë, dhe e kishte sjellë në kufi me shpenzime simbolike, duke bërë një rrugë të gjatë.

Në fillim të muajit Qershor, shteti turk kishte zbutur masat kufizuese për parandalimin e pandemisë dhe kishte hapur një vendkalim tokësor me Gjeorgjinë për raste emergjente. Angazhimi i diplomacisë sonë ishte i menjëhershëm, dhe rasti tanimë i ngritur te autoritetet turke i mundësoj R.B hyrjen në Turqi. Atasheu policor i shtetit tonë në Turqi me makinë zyrtare kishte bërë udhëtimin prej afër 2000 km në dy drejtime duke shkuar personalisht nga Ankaraja në kufirin Gjeorgjian për të marrë shtetasin tonë.

Në fluturimin e organizuar më datën 04.06.2020 R. B, kthehet në atdhe.

Është ky një heroizëm diplomatik, në kushte të pandemisë globale, që shteti ynë bëri për shtetasit e vet.

U jemi mirënjohës për jetë!

Ndërsa ju rini e dashur, përkushtohuni në shkollimin bashkëkohor (shkenca kompjuterike dhe drejtime tjera të nevojshme në tregun e punës), zhvilloni ndonjë zanat që nuk do të ju lënë pa punë, ose punoni tokën tonë të frytshme duke kultivuar perime e bimë të ndryshme, të kërkuara në tregun tonë, dhe kurrsesi mos merrni rrugë qorre dhe të panjohura për në vende të huaja. Askund s’ju pret bankomati pa punë!!!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE