Heroi i derbit në qytetin e Gjilanit, Ardian Cuculi që shënoi golin e vetëm të Dritës që ka vlerën e tri pikëve pas ndeshjes shprehu edhe përjetimet e tij në fushën e blertë para mijëra shikuesve.
Vetë futbollisti ka mbetur i befasuar pas ndeshjes me atmosferën që krijuan dy taboret e tifozërive, teksa theksoi se goli ishte skemë e punuar nga trajneri Ardian Nuhiu.
“Derbit nuk luhen, derbit fitohen. Ne u futëm në fushë për ti gëzuar këta tifozë të mrekullueshëm siç janë Intelektualët. Por, gjithashtu dua që ti falenderoj edhe Gjilanin dhe tifozërinë e tyre që i mbështetën sot. Derbi ishte përtej pritshmërive, shumë i mirë dhe i luftuar. Goli erdhi nga një skemë të cilën e kemi punuar edhe në seancat stërvitore me trajnerin Ardian Nuhiu”, theksoi fillimisht Cuculi.
Më tej mbrojtësi tetovar bëri edhe krahasimin ndërmjet derbive Partizani – Tirana, Shkëndija – Vardar dhe atij ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.
“Kam luajtur në shumë derbi të fortë siç është Partizani – Tirana apo edhe Shkëndija – Vardar, por në një qytet kaq të vogël me gjithë këtë rivalitet nuk kisha parë ndonjëherë. Është gjëja më e mrekullueshme që mund të ndodh”, theksoi Cuculi.