(2LONLNE) – Nën patronatin e Komunës së Gjilanit sot është mbajtur Akademi përkujtimore, kushtuar dëshmorit të kombit Zija Shemsiu, në të cilën është përkujtuar me pietet vepra e tij heroike dhe ideali për lirinë e vendit të cilën ai e shihte si rrugë të vetme çlirimin përmes armës dhe mobilizimit ushtarak.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri, ka thënë se Zija Shemsiu do të mbetet përherë një njeriu i madh dhe një familje e madhe me një rol të veçantë në lirinë e vendit.
“Zija Shemsiu është një njeri i madh, familja Shemsiu poashtu është me vlera shumë të mëdha për Gjilanin dhe Anamoravën në rolin e tyre për lirinë e vendit. Në këtë moment kujtojmë arrestimin e Zijah Shemsiut e Sami Kurteshit dhe familjes Shemsiu, hapjes barbare të varrezave, porse rruga dhe ideali i tij na bëjnë krenar dhe i kujtojmë me pietet të lartë dhe me nderime të veçanta këtë kolos të madh të lirisë. Ai ra më 5 maj por Përlepnica, Gjilani dhe Anamorava u vendosën në historinë e lirisë së Kosovës. Ju ftoj të gjithëve që të jemi bashkë për punë të mëtutjeshme sepse ky është amaneti i gjithë dëshmorëve. Ne do të gjunjëzohemi përherë para veprës së të gjithë dëshmorëve.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se Gjilani dhe Anamorava në çdo periudhë të historisë ka dhënë kontributin dhe sakrificën në përpjekje për ndërrimin e regjimit dhe lirinë e vendit. I tillë ishte edhe Zja Shemsiu.
“Zja Shemsiu i takon së art të organizimit të grupeve ilegale për liri dhe pavarësi që nga periudha e protestave të ‘68-shit e deri te ato të ’81-shit. Ishte njëri nga organizatorët e protestave në Kosovë dhe Europë. Ai me shokë ishte mobilizuar që çdo ku të shpërndaj frymën e atdhetarizmit për t’u bashkuar protestave e demonstratave paqësore, sepse kjo ishte e vetmja rrugë e arritjes së synimeve tona. Ai u flijua për atdhe por nuk u dorëzua dhe nuk u gjunjëzua para torturave të mëdha që iu bënë nga forcat serbe. Bashkë me kryetarin Haziri kemi marrë vendim që njëra nga shkollat e qytetit të Gjilanit të bartë emrin e Zija Shemsiut. Në vitin e ardhshëm Komuna e Gjilanit do ta bëjë renovimin e shtëpisë së Zijahit dhe ajo do të shndërrohet në muze”, ka thënë ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, me këtë rast ka thënë se ndjehet krenar që kishin një bashkëveprimtarë i cili ka rënë dëshmorë për të mos u harruar kurrë.
“Zijahi ishte i vendosur që të sjell armatim në Kosovë për t’i kthyer pushkën armikut. Ai ishte përkrah Rexhep Malës, Nuhi Berishës, të frymëzuar nga ideali i Kadri Zekës e të tjerëve dhe këta janë themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i lirisë së vendit. Fjala më kuptimplote e Zijahit në Gjykatën e Beogradit ishte “Më mirë dua ta kem një armë se sa të jem president i një shteti”. Ne kemi kujtimin e përjetshëm të tij duke e kujtuar por edhe duke punuar, sepse dëshmorët janë një busull orientimi për ne të gjallët”, ka thënë Isufi.
Ndërsa në emër të familjes, Shaban Shemsiu, ka thënë se organizimi i këtij aktiviteti nga ana e institucioneve lokale ka ngjallur interesimin e familjeve të dëshmorëve nga gjithë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora, ndërsa neve familjes na keni bërë krenar me veprimin tuaj në kujtim dhe nderim të dëshmorit. Kujtimi juaj për Zijahin është respektim ndaj tij ndaj neve por edhe i gjithë juve, sepse dëshmorët janë të të gjithëve. /2lonline/