/2L ONLINE/ Në kuadër të Flakës së Janarit sonte është bërë përzgjedhja e fotografisë më të mirë të festivalit “Foto Flaka”, si risi e kësaj kategorie në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, me çrast kishte mbledhur fotograf të shumtë nga qytete të ndryshme të trojeve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili edhe ka bërë hapjen e “Foto Flakës”, ka thënë se këtë vit “Flaka e Janarit 2016” është e pasuruar edhe me kategori të reja artistike, që kanë sjellur edhe artist e artdashës të shumtë në Gjilan.
“Gjilani e me këtë rast edhe “Flaka e Janarit 2016”, në vitin jubilar të saj, është pasurua edhe me kategori të reja artistike, që janë vlera kulturore për manifestimin “Flaka e Janarit”, por edhe për Gjilanin që është tashmë kryeqendra kulturore e shqiptarisë. Menjëherë do të nisim me organizimin e “Flakës së Janarit”, për vitin 2016. do të vazhdojmë edhe me tutje ruajtjen e origjinalitetit të këtij manifestimi, por përherë duke e zgjeruar me aktivitete kulturore dhe artistike, sepse ky është manifestim që përmes kulturës dhe artit në përgjithësi të kujtohen heronjtë dhe dëshmorët e rënë për liri”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri, poashtu ka konfirmuar pikërisht në këtë event të fotografisë, se Foto Flaka e vitit të ardhshëm do të mbahet në objektin e Galerisë së Qytetit dhe jo në këso ambiente që më së paku i ngjajnë një galerie, ndërsa në Gjilan në vitet në vijim do të kemi pos Galerisë së Qytetit edhe Kinemanë dhe institucione të tjera që janë të domosdoshme për zhvillimin e artit.
“Këtë vit interesimi për “Flakën e Janarit” e veçanërisht për teatrin mua më ka kujtuar vrapimin e publikut pas Teatrit të Shek Spirit dhe nga këtu e them se mbështetja e Komunës do të jetë përherë shumë e fuqishme si në organizim ashtu edhe në financim të infrastrukturës për objekteve”, ka thënë në fund kryetari Haziri.
Haziri poashtu ka ndarë çmimin për fotografinë më të mirë të festivalit Flaka e Janarit, të cilin e ka marrë fotografi, Haris Alija, nga Prizreni.
Ndërsa përzgjedhja është bërë nga juria profesionale e përbërë nga Faredin Spahiu, Vlora Ymeri dhe Din Azizi, të cilët kanë bërë vlerësimin për fotot e 16 fotografëve pjesëmarrës. /2L ONLINE/