“Përkundër që Vetëvendosje e solli Gjilanin në një gropë të zezë financiare, LDK rikonfirmoi konstruktivitetin e madh duke mbështetur maksimalisht shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror.
Sipas tij, u vu në pah, siç u shpreh, konstruktiviteti i madh të LDK-së në Kuvendin Komunal, për t’i mbështetur shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar.
“Përkundër që VV e solli Gjilanin në një gropë të zezë financiare, duke mos realizuar asnjë plan të investimeve, LDK rikonfirmoi konstruktivitetin e madh në Kuvendin Komunal duke mbështetur maksimalisht shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar. LDK do t’i bëhet gjithmonë krah i mbështetjes për Handikosin, Shoqatën e të Verbërve, shoqatën Pema, nxënësit, bujqit dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Por, e keqja e madhe është që Gjilani për më shumë se tri vite ka humbur parametrat zhvillimorë, sepse synimi i kësaj administrate është punësimi i kunatave e balldëskave, punësimet klienteliste e puro partiake”, ka thënë haziri.
Sipas tij, Gjilani tash e tri vite e ka humbur vëmendjen e Prishtinës. “Ne si listë e LDK-së në Gjilan, zotohemi para qytetarëve se do ta rikthejmë kujdesin e Prishtinës sa u përket investimeve të mëdha. Veç Rruga e Re e LDK-së, me kryeministër Lumir Abdixhikun, garanton investimet e Gjilanit e Anamoravës”.
Haziri tha tutje se vota më 9 shkurt, përkthehet si votë edhe për Komunën dhe për Kuvendin e Republikës.
“Gjilani dhe Kosova meriton shumë më shumë dhe shumë më mirë”, tha kryetari i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE/