DYLON

Haziri: Vepruam bashkë në kohë të rënda për Kosovën

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Është përkujtuar sot dëshmori i kombit Ibrahim Uruqi në 15 vjetorin e rënies për lirinë e Kosovës. Fillimisht, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve. Më pas është kremtuar dita e shkollës në Bresalc, që e mban emrin e këtij kolosi të kombit.

EkoHigjiena

Tubimi përkujtimor është mbajtur pikërisht në sallën e sportit të shkollës, ku kishte stërvitur Uruqi për të bërë rezistencë ndaj forcave ushtarake e paramilitare serbe. Të pranishëm në tubim ishin edhe kryesuesja e Kuvendit, drejtorët komunal, deputetë e veprimtar të çështjes kombëtare.

Në fjalën e rastit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se dëshmori Ibrahim Uruqi ra në altarin e lirisë për ne të gjallët që po jetojmë sot e po kremtojmë lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Sot mbi të gjitha, është vepra e madhe e Ibrahim Uruqit që na ka bashkuar. Ibrahimi dhe të gjithë dëshmorët tanë, sot na bëjnë të ndihemi të vegjël, na bëjnë të ndihemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që amaneti i tyre, sakrifica e tyre të çmohet dhe të ecim përpara. Kjo sallë, ka qenë njëra prej sallave ku Ibrahimi ka bërë stërvitjet ushtarake. Jam i nderuar, që unë jam njëri nga shokët që ka ecur në një kohë të vështirë, të gjatë e të rëndë me Ibrahimin”, tha Haziri.

“Atë që e kam thënë në përvjetorin e parë dhe të gjithë përvjetorët tjerë është se falë Ibrahim Uruqit dhe rezistencës së tij dhe idealit të tij një numër i madh i njerëzve sot janë këtu gjallë dhe jetojnë. Falë asaj sacrifice të madhe të tij dhe luftës së tij, ne sot jemi dëshmitarë të gjallë dhe e kemi këtë ditë të bardhë të lirisë. Gjunjëzohemi para veprës së tij, ju gjenerata e nxënësve jeni krenar që mësoni këtu dhe në librat, fletoret e ditarët tuaj e shkruani emrin e Ibrahimi Uruqit”, ka thënë Haziri.

Haziri premtoi se do ta rregullojmë këtë shkollë në mënyrë që emri i Ibrahimit të jetë gjithmonë i ndritur, çfarë ka qenë gjithmonë ai.

Një fjalë rasti patën edhe drejtori i arsimit Nazmi Musa dhe deputeti Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan lartë figurën e dëshmorit Ibrahim Uruqi.

Kremtja e ditës së shkollës u mbyllë me një program të pasur kulturoro-artistik nga nxënësit e shkollës fillore “Ibrahim Uruqi” të fshatit Bresalc./2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.