Haziri uron “Global Consulting…” për çmimin më të mirë për shërbime të konsulencës në Evropën Juglindore
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur në një takim pronarin e kompanisë “Global Consulting dhe Development Associates LLC”, Arsim Vranovci, të cilit i ka uruar për çmimin e marrë nga Asambleja Europiane e Biznesit, duke potencuar se kjo është një nga kompanitë më të mirënjohura në sektorin e ofrimit të shërbimeve të konsulencës në Evropën Juglindore.
Kryetari Haziri ka uruar pronarin Arsim Vranovci dhe gjithë stafin për angazhimnin që kanë bërë në prezantimin sa më të mirë të kompanisë, e njëkohësisht edhe të Gjilanit dhe Kosovës në rangun Evropian.
“Unë kam besuar në përkushtimin tuaj dhe në kualitetet tuaja, të kompanisë tuaj. Ky hap është një vlerësim besueshmërie dhe çdo vlerësim ndërkombëtar, është vlerësim i punës që bëhet në kompaninë tuaj. Tashmë besoj që jeni shembull i mirë edhe për të tjerët se si të ecet përpara në ngritjen, menaxhimin dhe besueshmërinë e një kompanie”, ka thënë kryetari Haziri, duke potencuar që Komuna e Gjilanit është mbështetëse e fuqishme e biznesit privat në përgjithësi.
Ndërsa pronari i kësaj kompanie Arsim Vranovci, ka thënë se të gjitha sukseset nisin nga Gjilani, sepse në këtë qytet është zyra qendrore e kompanisë.
“Ky është çmim, i cili, na bënë që ne të vazhdojmë edhe më tutje me përkushtim të vazhdueshëm drejtë rrugës për radhitjen në mesin e 100 kompanive më të mira në gjithë botën. Ky është një hap që kërkon angazhim edhe më të madh, por jemi në atë rrugë dhe të përkushtuar për ofrim të shërbimeve dhe konsulencës”, tha në fjalën e tij, Vranovci.
Ai ka thënë se kjo kompani ka zyrat e saj në disa Komuna të Kosovës, kryen shërbime të ndryshme edhe në Shqipëri, Maqedoni, pritet që funksionimi i saj të nis edhe në shtetin e Austrisë, por edhe shteteve të tjera në rajon, duke numëruar rreth 50 të punësuar. /2L ONLINE/
