(2LONLINE) – Në vazhdën e aktiviteteve të shumëta, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët komunal, ka vizituar të dielen “Lagjen e Vishnjeve”, ku u njoftua nga banorët me kërkesat, hallet dhe problemet e tyre.
Banorët e kësaj lagjeje, pasi falënderuan kryetarin Haziri për vizitën, ia paraqitën kërkesat e tyre që ishin kryesisht për rregullim të infrastrukurën si: rruga, kanalizimi, uji e ndicimi publik.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i garantoi banorët e “Lagjes së Vishnjeve” se do të kenë përkujdesje të vazhdueshme institucionale, pasi që më herët iu kishte munguar një gjë e tillë në të gjitha sektoret.
Haziri tha se do të mundohet që me të gjithë kapacitetet komunale, gradualisht t’ua zgjidh problemet që ata i kanë me infrastrukturën, për t’ju mundësuar të bëjnë jetë të dinjitetshme.
Ndryshe, kryetari Haziri që nga marrja e detyrës më 24 dhjetor, ka realizuar qindra vizita në terren si dhe ka dëgjuar hallet e mbi 4000 mijë qytetarëve të Gjilanit në Zyrën e tij. (2lonline)