/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari dhe drejtorët e drejtorive komunale, kanë bërë sot ndarjen e çertifikatave nga trajnimi i më shumë se 50 zejtarëve të profileve të ndryshme, në kuadër të programit që financohet nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Gjilanit, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe zhvillimin e këtyre zejeve që janë pasuri e kulturës gjilanase.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se me këtë program që po realizohet me mbështetjen e fuqishme edhe të Komisionin Europian, qëllim ka valorizimin e vlerave tradicionale që i ka Komuna jonë.
“Ky projekt që është mbështetur nga Komisioni Evropian, në Komunën e Gjilanit dhe Çairit, qëllim ka valorizimin e zejeve – vlerave tradicionale, duke i dhënë mbështetje sa më të madhe zejtarëve në forma të ndryshme, për të ruajtur zanatin e trashëguar. Pretendojmë të krijojmë hapësirë për trashëgimi duke absorbuar vlerat e përbashkëta. Trashëgimia nuk i takon individit, grupit apo etnisë, por është e përgjithshme dhe u takon gjithë popujve kudo që janë, sepse këto vlera që ju i punoni dhe ruani, janë vlera të njerëzimit. Këto vlera kanë përballuar sfida të rënda gjatë jetës, por, tashmë do të jenë kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha. Gjatë ditës së sotme do të publikohen edhe kriteret për grante që mundësojnë dhe do të jenë një garant i mundësive më të mëdha për zhvillimin e zejeve në Gjilan”, tha në fjalën e tij kryetari Haziri, duke paralajmëruar se gjatë të ardhmes ky program që sot është në fazën e parë do të zgjerohet edhe më tutje.
Në emër të zejtarëve Shyqëri Sahatçiu ka falënderuar Komunën dhe Komisionin Europian për angazhimin dhe mbështetjen e madhe që u është bërë zejtarëve në këtë fazë, duke u zotuar se zejtarët do të punojnë edhe më tepër në ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre zanateve me vlera të larta.
Kurse, në emër të kompanisë konsulente MDA (management and developement associates), drejtori Rinor Gjonbalaj, ka thënë se puna që kanë bërë me këta zejtarë do të jetë e paharruar.
“Kemi punuar me këtë grup të zejtarëve të Gjilanit që janë të shkëlqyeshëm. Janë grupi më special që nga paslufta që kemi punuar me njerëz të cilët janë të përkushtuar kaq shumë në punën e tyre. Ky është grup që që bënë ruajtjen e vlerave kulturore dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë Gjonbalaj./2L ONLINE/