Haziri u ka dhënë mbështetje Lidhjes Shqiptare në Botë, për organizim të Kuvendit
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune kryetarin e Lidhjes Shqiptare në Botë, Simon Kuzhnini, me bashkëpunëtorë, lidhur me angazhimin e përbashkët për organizimin e Kuvendit të tretë Lidhjes Shqiptare në Botë, që pretendohet të mbahet këtë vit në Gjilan.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se ky ishte një takim për koordinim rreth organizimit të kuvendit të LSHB-së, që këtë radhë mendohet të mbahet në Gjilan.
“Gjilani ka nderin të jetë nikoqir i Kuvendit të Lidhjes Shqiptare në Botë. Do të ofrojmë mbështetjen maksimale që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm për LSHB-në dhe shqiptarët në përgjithësi”, potencoi kryetari Haziri në fjalën e tij.
E nga ana e tij, falënderues për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar është shprehur kryetari i LSHB-së, Kuzhnini, i cili ka njoftuar për qëllimin e takimit dhe synimet që kanë si lidhje.
“Falënderojmë për bashkëpunimi e ofruar nga institucionet lokale dhe kryetari që për më shumë se 25 vjet e ka vazhduar kauzën e tij kombëtare për pozitën më të mirë të shqiptarëve të Kosovës dhe veçanërisht të Gjilanit. Lidhja ka mbajtur dy kuvendet paraprake në Prizren dhe në Prishtinë, ndërsa Kuvendin e tretë po punojmë që ta mbajmë në Gjilan dhe qëllimi kryesor është përpunimi edhe më shumë i platformës së LSHB-së dhe zgjedhja e organeve për Kosovë”, potencoi në fjalën e tij Kuzhnini. /2L ONLINE/
