DYLON

Haziri: Tash, Gjilani ka shumë miq dhe bashkë me ta ka edhe investime

Haziri: Tash, Gjilani ka shumë miq dhe bashkë me ta ka edhe investime
Avatar photo Redaksia

Në 100 ditëshin e punës pas emërimeve të larta, nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja numër 27 e bordit të drejtorëve, e cila ka qenë e hapur për publikun.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha për avancimin edhe më tutje të transparencës dhe llograridhënies për publikun, do të mbahen edhe 10 dëgjime buxhetore, sikurse edhe debate tjera publike në lagje e fshatra të Komunës për të diskutuar me qytetarët për çështje të ndryshme.

Ndërkohë, kryetari Haziri ka njoftuar opinionin se sot Komuna nënshkruan programin e katërt të fituar nga Komisioni Europian në vlerë prej 400 mijë euro për përfshirjen e të rinjve dhe femrave në programet bujqësore.

EkoHigjiena

Haziri tha se gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar partneritetin me qeverinë amerikane, zvicerane e gjermane, në aspektin e rehabilitimit të ujësjellësit dhe në përfshirjen e të rinjve në punësim, sikurse edhe në shërbime publike.

“Kur e kam marrë mandatin në fund të vitit 2013, e kam përmendur vazhdimisht se Gjilani nuk ka pasur investime publike shkaku se nuk ka pasur miq politik dhe as ata që në kuptimin njerëzor e mbështesin. Tash, Gjilani ka shumë miq dhe bashkë me ta e ka arritur kuotën e investimeve në vlerë prej 26 milionë euro investime publike në vit, pa e llogaritur autostradën dhe investimet tjera. Gjilanit i kthyem miqtë vendorë e ndërkombëtarë, duke e bërë vend të jetueshëm”, ka thënë Haziri.

Haziri ka nënvizuar se është duke u rindërtuar stadiumi i qytetit, përderisa do të ndërtohen edhe dy stadiume ndihmëse të tjera për nevoja të klubeve gjilanase në partneritet me Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Përvec tjerash, jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve dhe ujësjellësit nëpër lagje e fshatra. Ndërsa, projekti i ndërtimit të rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan-Livoç i Ulët po vazhdon me intensitet të shtuar dhe pritet të bëhet rruga e dytë model, pas asaj Gjilan-Bujanoc’, tha Haziri.

Lidhur me partneritetin publiko privat me kompaninë së mbeturinave “Ecohigjiena”, i pari i gjilanasve theksoi se edhe më tutje Komuna vazhdon të ketë raporte të jashtëzakonshme juridike.

“Nënkryetari Arbër Ismajli në ekip është mandatuar për t’i zgjidhur këto probleme sipas nenit të kontratës, i cili lejon edhe mundësinë e ndarjes. Ose duhet ta tejkalojmë këtë situatë dhe ta funksionalizojmë raportin e partneritetit ose aty ku s’ka partneritet ka divorc”, ka thënë Haziri, duke u zotuar se edhe partneriteti tjetër publiko-privat për kampusin e shkollave të mesme do të zbatohet sipas kontratës.

Në takimin e bordit të drejtorëve në 100 ditëshin e emërimeve, Haziri ka lavdëruar tre mekanizmat ndërkomunal, Këshilli për Sigurisë në Bashkësi, Mekanzimi Kundër Dhunës në Famije dhe Mekanizmi Referues, duke i vlerësuar si më të suksesshmit në Republikën e Kosovës.

Haziri në këtë takim ka përgëzuar fshatrat, Pogragjë, Dobërçan, Lladovë e Zhegër, të cilët nën organizimin e shoqatave të bashkatdhetarëve, e kanë sjellë kulturën e shteteve perëndimore sa i përket pastërtisë dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Ndërkohë, kryetari Lutfi Haziri ka informuar se në shtator pritet të bëhet shenjëzimi i rrugëve shesheve dhe vendbanimeve, ndërsa është shprehur i lumtur që tashmë me mbështetjen e qeverisë së Kosovës në ndarjen e lokacionit, e kanë zgjidhur problemin e varrezave të qytetit për 100 vitet e ardhshme.

Haziri ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të mbjellin fidane dhe drunjë dekorativ në të gjithë territorin e komunës, për ta përmirësuar aspektin e mjedisit.

Gjatë këtij takimi, kanë raportuar secili nga drejtorët komunalë për punën 100 ditëshe rreth realizimit të objektivave dhe sfidave.

“Deri në mbledhjen e ardhshme, unë ju lus që të gjitha rekomandimet t’i merrni seriozisht. Përndryshe, nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që nuk i realizojnë objektivat. E keni detyrë ligjore t’i zbatoni”, ka përfunduar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.