(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në zyrën e tij një delegacion të organizatës Mennonite Central Committee (MCC) me seli në SHBA dhe Kanada, me të cilët ka biseduar për sfidat, problemet dhe bashkëpunimin.
Kjo organizatë qëllim kryesor ka mbështetjen mbarëbotërore të organizatave të ndryshme për ndërtimin e paqes nëpër botë.
Kryetari Haziri është shprehur se tashmë në Gjilan dhe në Kosovë në përgjithësi kemi arritur paqe të qëndrueshme, duke thënë se për këtë është angazhuar edhe personalisht. Ai i ka njoftuar përfaqësuesit e kësaj organizate për gjendjen aktuale të Komunës së Gjilanit, për punët dhe për projektet që kanë nisur gjatë që nga marrja e mandatit më 24 dhjetor.
Haziri theksoi se prioritet i qeverisjes së tij është rregullimi i infrastrukturës bazike: rrugët, ujësjellësi, kanalizimi dhe ndriçimi publik.
“Gjilani ende vuan nga mungesa e infrastrukturës bazike. Prioritet i imi është që të rregullohet në tërësi infrastruktura bazike, për të vazhduar me avancimin e sektorit të arsimit, të shëndetësisë, ekonomisë, kulturës, rinisë e sportit. Këtë jemi duke e bërë tashmë dhe presim t’i përfundojmë gjatë mandatit me sukses”, ka thënë Haziri.
Përfaqësuesit e organizatës MCC, Krista Johnson dhe Jennifer Wiebe, falënderuan kryetarin e Gjilanit për pritjen miqësore, duke konfirmuar ndihmën e vazhdueshme për paqe të qëndrueshme për Gjilanin dhe mbarë Kosovën./2lonline/