(2LONLINE) – Të dielën nuk ka qenë ditë pushimi për kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Së bashku me drejtorin për Buxhet dhe Financa, Salih Kqiku, drejtorin e Urbanizmit Valon Shefkiu dhe atë të Inspeksionit Selver Xhelili, kryetari Haziri ka dalë në terren për t’i dëgjuar hallet e qytetarëve të Gjilanit.
Kryetari Haziri ka vizituar qytetarët e lagjes “Kodra e Dëshmorëvë” dhe ata te tregu i automjeteve, ku i ka dëgjuar për së afërmi kërkesat e qytetarëve, që kryesisht ishin për rregullim të rrugës, kanalizimit, ujësjellësit dhe ndriçimit publik.
Pasi dëgjoi kërkesat e qytetarëve, Haziri është shprehur se me të gjitha kapacitetet komunale do t’i realizojë kërkesat e tyre, për të bërë jetë të dinjitetshme.
“I kuptoj problemet dhe hallet tuaja. Rruga, uji, kanalizimi dhe ndriçimi janë kërkesa elementare që Komuna e ka për obligim t’i bëjë, hiç pa na thënë ju. I kemi identifikuar të gjitha problemet dhe po punojmë pa u ndalur që t’i zgjidhim një nga një. Nuk do të pushojmë as të dielave derisa t’i realizojmë të gjitha kërkesat tuaja”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri. /2LONLINE/