DYLON

Haziri: Shumë shpejt do të nisin punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka raportuar para asambleistëve për punën e tij gjashtë mujore të këtij viti dhe i është përgjigjur të gjitha interesimeve të tyre, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri ka theksuar se në qeverisjen komunale po punohet në të gjitha aspektet për ta përmirësuar gjendjen në Gjilan, duke specifikuar vazhdimin e ‘dietës’ së ashpër buxhetore për sanimin e, siç tha ai, avarive të gjetura.

EkoHigjiena

Kreu i Gjilanit u shpreh se gjatë kësaj periudhe kohore kanë bërë punë të mira në të gjitha sektoret dhe po punohet në kthimin e besimit të qytetarëve në institucione, në mënyrë që të përkthehet me pagesë të rregullt të taksave ndaj Komunës.

Puna më e madhe gjatë këtyre muajve, sipas Hazirit, është disiplina në punë, në administratë, shërbim civil dhe organe tjera komunale.

“Jemi krenarë për hapin e vogël për përmirësimin e ambientit të punës në Gjilan”, tha kryetari Haziri.

Tutje, para asambleistëve të Gjilanit, i pari i kësaj Komune tha se gjatë javës së kaluar kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Ambientit për vazhdimin e projektit të lumit “Mirusha”, duke shtuar se përgjegjësinë kryesore për këtë projekt e ka tash Komuna e Gjilanit dhe punimet pritet të nisin shumë shpejt.

“Paralelisht me rregullimin e shtratit të lumit “Mirusha”, po punojmë edhe në rregullimin e shtratit të lumit “Stanishorka” dhe përrockave tjera, sikurse edhe vazhdimin e punëve të mëdha në alfaltim të rrugëve, rregullim të rrejti të kanalizimit, ujësjellësit, ndërtim të fushave të sportit etj. Jam i interesuar t’i zgjidh përgjithmonë problemet me vadat, për ta përmbyllur këtë projekt me ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza me ndihmën e miqve, donatorëve të huaj”, u shpreh ai.

Kryetari Haziri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisin punimet tek pjesa kryesore e Varrezave të Dëshmorëve, ndërkaq punët tjera do të vazhdohen në vitin e ardhshëm.

Sa i përket Kampusit të shkollave të mesme, kryetari i Gjilanit tha se është në proces ndërtimi i tij dhe zhvendosja e Universitetit “Kadri Zeka” në kazermën e FSK-së, duke shpresuar në ndihmën e qeverisë në këtë aspekt.

Kryetari Lutfi Haziri pohoi se ndihet i lumtur me arritshmërinë e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ku Gjilani është ranguar lart në këtë aspekt, ndërsa tha se me seriozitet edhe më te madh do të punohet në sektorin e arsimit.

Haziri ka deklaruar se gjatë këtyre muajve është punuar shumë edhe në përmirësimin e shëndetësisë primare.

Ai ka paralajmëruar se gjatë këtyre ditëve do të filloj projekti i ndërtimit të parkut në lagjen “Dardania”, që është projekt i fituar në Komisionin Europian dhe disa projekte tjera.

“Krahas kësaj, ne presim të konfirmohet formalisht nënshkrimin e çerdhes në lagjen “Dardania” me qeverinë amerikane. Presim investime nga qeveria zvicerane në riparimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Gjilanit, me qeverinë gjermane në sektorin e arsimit, me bankën gjermane në sektorin e efiçinecës së energjisë elektrike dhe renovimeve nëpër shkolla, me qeverinë e Austrisë në trajtimin e ujërave të zeza dhe me qeveritë tjera që janë solidare me Komunën e Gjilanit”, ka potencuar kreu i Gjilanit, ndërkaq është përgjigjur në pyetjen e asambleistëve të opozitës rreth vizitës në SHBA.

“Vizita në SHBA ka qenë e lidhur ngushtë me dy organizatat më të mëdha të qyteteve në botë. Ne duhet të lidhemi me ta dhe ta ndajmë eksperiencën. Ju përkujtoj se njëra nga këto programe Komuna e Gjilanit ka përfituar në vitin 2008”, tha Haziri./2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.