Haziri: Rastet me Covid-19 në Gjilan janë në rënie, por virusi është i të njejtit rrezik

Haziri: Rastet me Covid-19 në Gjilan janë në rënie, por virusi është i të njejtit rrezik

Komiteti i emergjencave për parandalimin e pandemisë globale, në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë vlerësimin e gjendjes për 24 orët e fundit dhe ka apeluar tek të gjithë qytetarët dhe institucionet që masat mbrojtëse të respektohen maksimalisht, sepse virusi Covid-19 është i rrezikshëm dhe po merr jetën e njeriut.

Në fjalën e tij kryetar Haziri, ka thënë se gjendja është e qetë dhe nën kontrollë të vazhdueshëm nga mjekët në dy nivelet e shëndetësisë, por e domosdoshme është që të kemi kujdesin maksimal në respektimin e masave mbrojtëse.

“Mjekët në dy nivelet e organizimit të shëndetësisë, emergjencat civile, Policia e Kosovës, Zjarrëfikësit dhe të gjitha institucionet publike, po bëjnë maksimumin e tyre në kujdesin ndaj qytetarëve. Ka një rënie të lehtë të rasteve me Covid-19, mirëpo luten të gjithë qytetarët, punëtorët e shtetit dhe sektori privat i biznesit që të respektojnë në mënyrë strikte masat mbrojtëse, për të shmangur mundësinë e invektimit. Kujdesi dhe mbrojtja nga virusi Covid-19 është kujdes për ruajtje të shëndetit publik, ruajtje të fëmijëve, pleqëve dhe familjarëve tuaj. Nuk duhet në asnjë moment që të neglizhohen rekomandimet e shtetit”, ka thënë kryetari Haziri, në konferencën me gazetarë.

Ndërsa përgjegjësit në nivelin e shëndetësisë, Dr. Ukshin Ismajli, Ajhane Sefiu dhe Arbenita Hajdari, ka bërë pasqyrimin e gjendjes në dy nivelet e shëndetësisë, duke e paraqitur gjendjen nën kontrollë në aspektin e përgjithshëm, derisa për pacientët që po trajtohen në Gjilan, kanë theksuar se janë me simptoma të lehta dhe pa ndonjë shqetësim kritik, sa i përket virusit.

Ata në bazë të statistikave që ka bërë publike Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmojnë se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka gjithsej 898 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 714 pacient, 39 kanë humbur jetën, ndërsa raste aktive janë 145 pacient, prej tyre 35 të hospitalizuar.

KOMENTE