Haziri: Qytetarët nuk kanë nevojë për “dhurata zgjedhore të babadimrit“ por për zhvillim ekonomik, vende pune dhe politika afatgjata sociale
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e nga 100 euro vetëm pak ditë para zgjedhjeve paraqet keqpërdorim të parasë publike për qëllime elektorale. Ndihma për qytetarët është obligim institucional kur bëhet në mënyrë të planifikuar, transparente dhe të barabartë, e jo në prag të votimit kur çdo veprim i tillë behet për ndikim në vullnetin e qytetarëve”, thotë Sokol Haziri, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, transmeton 2LONLINE.
Sipas tij, ky është një recidivizëm i qëllimshëm për të manipuluar, por, siç shprehet Haziri, shpreson që të jetë i fundit.
Sokol Haziri i AAK-së thotë se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për “dhurata zgjedhore të babadimrit “ por për paga më të larta, zhvillim ekonomik, vende pune dhe politika afatgjata sociale. Përdorimi i buxhetit të shtetit si instrument për përfitime politike është i papranueshëm dhe cenon standardet demokratike dhe integritetin e procesit zgjedhor.
“Ky vendim ka për qëllim ndikimin e votuesve në prag të zgjedhjeve, dhe mund të ngrihen dyshime për elemente të veprave penale që lidhen me cenimin e procesit zgjedhor sipas Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe legjislacionit zgjedhor. Vota e qytetarëve nuk blihet me 100 euro. Dinjiteti i qytetarëve të Kosovës është më i vlefshëm se çdo përpjekje për manipulim elektoral me paratë e taksapaguesve”, thotë Sokol Haziri, kryetar i Degës së AAK-së në Gjilan. /2LONLINE/
