(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike në Gjilan,sipas drejtuesve të saj, është duke kryer projekte të shumta për të mirën e qytetarëve të Gjilanit. Sokol Haziri, drejtor i kësaj drejtorie ka bërë të ditur se është duke u punuar me intensitet të shtuar në rregullim të projekteve si në ndriçimin publik, ujësjellës, kanalizime, trotuare, rrugë të rendit të tretë, sinjalizim horizontal dhe vertikal dhe projekte të tjera.
Haziri tha se intensiteti i punëve është duke vazhduar me kapacitete të plota.
“Sot jemi këtu në fshatin Livoçi Epërm, ku po intervenojmë në projektin i cili është nisur vite më parë dhe nuk është përfunduar asnjëherë më parë. Brenda dy ditësh ky intervenim në rrjetin e ujësjellësit do të përfundohet ku është duke u ndërruar gypi dhe pastaj i takon Kompanisë Rajonale të Ujit “Hidromorava”, që të merret me kyçjen e qytetarëve”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, e rëndësishme është që banorët e kësaj lagjeje shumë shpejtë do të bëhen me ujë të pijes. ‘Po ashtu ne kemi intervenuar edhe në ujërat e zeza në këtë pjesë përgjatë rrugës magjistrale Gjilan – Prishtinë, ku gjithçka po kthehet normalitetit duke bërë një pastrim të tërësishëm dhe gjendja po i kthehet normalitetit”, ka thënë Haziri.
Ai po ashtu ka njoftuar edhe me punët të cilat janë duke u bërë në rrugët e rendit të tretë kryesisht në fshatrat e brezit kufitar dhe rrugët e fshatrave të thella malore por edhe projekte të shumta që janë në kompetencën e drejtorisë sonë.
“Për gjashtë muaj sa jam në krye të kësaj drejtorie, është punuar aq shumë saqë për shumë vite të tëra të qeverisjes nuk është punuar me këtë intensitet. Punë e madhe është duke u bërë në projektin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, nga ku edhe kemi marrë shumë lëvdata nga qytetarët, sepse kjo është në shërbim të tyre”, ka thënë tutje Haziri.
Sipas tij, në sektorin e ndriçimit publik, kanalizimeve, dhe ujësjellësve është duke u kryer një punë e madhe, siç vlen të theksohen punët në ujësjellësin e fshatit Lladovë – Nasal që shumë shpejtë do të përfundohen.
‘Ne si drejtori me mbështetjen e kryetarit Lutfi Haziri do të vazhdojmë me këtë intensitet të punës edhe në ditët në vijim sepse kërkesat e qytetarëve dhe nevojat për të intervenuar janë urgjente, ngase jeta e qytetarëve tanë është prioriteti ynë i parë, ndërsa prioritet për këtë qëllim është investimi në infrastrukturën bazike”, ka thënë Sokol Haziri, drejtor i drejtorisë për Shërbime Publike. /2L ONLINE/