DYLON

Haziri për çështjen e Drejtorisë për Buxhet: LDK kërkon që hetimet të përfundojnë sa më shpejtë për këtë skandal

Haziri për çështjen e Drejtorisë për Buxhet: LDK kërkon që hetimet të përfundojnë sa më shpejtë për këtë skandal
Avatar photo Redaksia

Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së së Gjilanit, në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditur se LDK-ja kërkon që hetimet të përfundojnë sa më shpejt për, siç tha ai, “skandalin e thyerjes së derës së buxhetit në Gjilan nga persona të paautorizuar”.

“Ky skandal ka detyruar të ‘dorëhiqet’ drejtoreshën e këtij dikasteri, e cila e faktoi atë që LDK e ka alarmuar në vazhdimësi: VV edhe zyrtarisht e bëri Gjilanin si shitore të thyer. Hetimet urojmë që ta zbardhin këtë skandal të paprecentë në komunën tonë”, ka thënë Haziri.

EkoHigjiena

Sipas të parit të LDK-së së Gjilanit, duhet të ketë hetime edhe për moszbatim të projekteve sipas detyrës zyrtare, pasi disa projekte që kanë nisur më 18 janar janë pa leje të punës për shkak të problemeve me pronat e mos zbatimit të hartës zonale sipas Planit Zhvillimor Komunal, duke bërë krim urban,

Po ashtu, Haziri tha se kujdesi ndaj nepotizmit dhe lidhjeve të ngushta në punësim po vazhdon të jetë logjikë pune e VV-së në Gjilan. Kjo mendësi e qeverisjes në Gjilan është e pa precedentë, sepse qytetarët tashmë e dinë se për t’u punësuar në institucionet komunale duhet të jesh patjetër kunatë, baxhanak, balldëskë, dajë ose nip i të parit të ekzekutivit.

“Punësimi i nipit të të parit të ekzekutivit në Njësinë e Zjarrfikjes, tregon qartë se si Komunën e shndërruan në një çiflig dhe kjo vërtetë është e pafalshme se si këta njerëz nuk kanë kurrfarë konsiderate që qytetarët po trajtohen në mënyrë kaq të pabarabartë”, ka thënë tutje Haziri.

Shkelja tjetër e madhe, sipas Hazirit, që po ndodh në institucionet komunale në Gjilan është se punonjësve me kontrata mbi vepër të cilët janë punësuar në mënyrë të kundërligjshme, u është dhënë akces në asetet publike. Përpos si shkelje e rëndë e ligjit, tashmë janë plotësuar kushtet që të ballafaqohen me problemet penale sepse shifrat e shpenzimeve publike janë marramendëse.

“Për fund, falënderoj Kuvendin Komunal, përkatësisht grupin e këshilltarëve të LDK-së të cilët kanë arritur të krijojnë një normalitet pune e një agjendë, për t’i zgjidhur disa nga problemet serioze që i ka pasur ky qytet”, ka thënë i pari i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri.  /2LONLINE/