Haziri: Pa fuqizimin e femrës nuk ka as familje dhe as institucione të fuqishme

Haziri: Pa fuqizimin e femrës nuk ka as familje dhe as institucione të fuqishme

Pikërisht në shënimin e Ditës së Gruas, më 8 mars, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nxjerrur sot vendimin për zbatimin e masave të veçanta afirmative dhe specifike në arritjen e barazisë gjinore konform zbatimit të ligjit për barazinë gjinore, për zhvillim të iniciativave dhe projekteve të grave në biznes përmes funksionalizimit të zyreve përkatëse, pastaj, funksionalizimin e rrjetit jo-formal të grave dhe subvencionimin në fushën e bujqësisë dhe bizneseve të tjera që udhëheqen nga gratë.

Kryetari Haziri, ka thënë se pa përfaqësim të fuqishëm të femrës në jetën shoqërore në përgjithësi, nuk mund të ketë zhvillim të familjes dhe institucioneve të shtetit, prandaj bashkërisht duhet të krijojmë mundësitë për femrat, sepse ato janë të përkushtuara, të vendosura, të përgjegjshme dhe më punëtore se burrat.

“Pa përfaqësim të duhur të femrës dhe pa angazhim të saj, nuk mund të ketë familje të zhvilluar, nuk ka prosperim dhe njëkohësisht nuk ka as institucione të fuqishme. Ky vendim që sot po e nënshkruaj nga cilësia e kryetarit të Komunës, është mëse i duhur për mbështetjen e femrës në përgjithësi, e veçanërisht për zbatim të ligjit, dhe mundësi afirmative të merituara për gjinin e kundërt. Ne në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe me organizatat ndërkombëtare, ekskluzivisht, kemi krijuar mundësi vetëm për gjininë femrore dhe atë në dy projekte shumë të mëdha, i pari është projekti “WOW”, që parasheh trajnimin e 60 femrave dhe mundësinë e punësimit të tyre online edhe përtej kufijve shtetror dhe projekti i dytë është në bashkëpunim me qeverinë amerikane, për mbështetjen e grave në ndërmarrësi”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai ka falënderuar Komitetin për Barazi Gjinore për punën e madhe dhe angazhimin konkret përmes rekomandimeve për qeverisjen në rrafshin e ekzekutivit, që gjithnjë trajtohen me kujdes të vaçantë.

Ndërsa kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se gatishmëria e vazhdueshme e kryetarit Haziri ka bërë që femra të ketë një trajtim pozitiv duke zënë vend të rëndësishëm në kuadër të qeverisjes së kryetarit Haziri brenda këtij mandati. Ajo më tej ka falënderuar kryetarin për hapësirën dhe besimin e treguar deri më tani për femrën dhe gatishmërinë e saj që ajo të jetë kontribuese e fuqishme në proceset e rëndësishme të zhvillimit të Gjilanit.

E nga ana e saj Xhylishene Berisha, kryesuese e Komitetit për Barazi Gjinore, ka falënderuar kryetarin, që pikërisht më 8 mars, në Ditën e Gruas, ka zgjedhur këtë mesazh urimi jashtzakonishtë pozitiv dhe garantues për femrat në përgjithësi, që ato të jenë më të sigurta në aspektin e ndërmarrësisë dhe zhvillimit të ideve zhvillimore për shoqërinë dhe ngritjen e pavarësimit në familje.

KOMENTE