(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e së enjtes, që e kryesoi Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar ndryshimet në statutin e Komunës, Raportin financiar janar-shtator 2014, dy kërkesa për kompensimin e borxhit, njëra ndaj një qiradhënësi të banimit social tjetra ndaj Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës si dhe një vendim për transferin e mjeteve si dhe ka debatuar për Raportin e auditimit për vitin 2013.
Interesim e anëtarëve të Kuvendit Komunal e ka tërhequr më së tepërmi ndryshimi i statutit të Komunës. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se komisioni për akte normative e ka sjellë në Kuvend propozimin përfundimtar të statutit, ku janë harmonizuar dy versionet e mëparshme.
Arsyetimin, në emër të komisionit statutar e ka dhënë Arben Mehmeti. Riorganizimi i pushtetit vendimmarrës dhe ekzekutiv bëhet duke reduktuar numrin e drejtorëve në 10, nga 12 sa ishin deri tani dhe duke e rritur numrin e komiteteve, si trupa ndihmëse dhe profesionale të Kuvendit, nga 9 në 12.
Te drejtoritë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, ka reduktime. Kultura shndërrohet në Njësi, ndërsa Inspekcioni bashkohet me drejtorinë e Urbanizimit. Të tjerat mbeten siç kanë qenë deri tanë. Numri i zyrave rritet në 12, meqë shtohet Kabineti i kryetarit, Njësia për Kulturë dhe Zyra për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Zyra e deritashme e Avokatit të Komunës bashkohet me Zyrën Ligjore.
Te komitetet, pos atyre ekzistuese, janë shtuar Komiteti për barazi gjinore, Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar dhe Komiteti konsultativ i ekspertëve të planifikimit hapësinor.
Opozita (PDK), edhe paraprakisht kishte kundërshtuar reduktimin e ekzekutivit, duke thënë se është e gatshme t`i përkrahë ndryshimet, nëse ofrohen argumente bindëse pse duhet të bëhen këto ndryshime, kurse VV, në parim, ishte shprehur kundër dhe ka mbetur pranë këtij qëndrimi.
Por 24 vota ishin të mjaftueshme për të miratuar këto ndryshime. Ndryshimet kanë të bëjnë me riorganizimin e administratës komunale, që është kompetencë e kryetarit të Komunës.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se ndryshimet janë të dobishme për funksionalizimin e resorëve përkatës dhe kjo përkthehet me shërbime më të mira për qytetarët. Ai ka sqaruar se sa i përket Drejtorisë së Inspeksionit, qëllimi është që të largojmë koncentrimin në një autoritet, në një drejtor dhe shërbimet t`i bartim në tri drejtori përkatëse.
Te kultura, është arsye krejt tjetër. Kultura duhet të ndahet nga sporti dhe rinia dhe të ndahet nga varësia politike sepse subvencionet që janë dhënë sivjet, vetëm për 9 muaj, janë më shumë se për tërë vitin e kaluar. Rinia do të ketë po ashtu buxhetin e saj dhe nuk do të varet nga subvencionet, ka thënë Haziri, duke shtuar se forma e deritashme e organizimit të këtyre sektorëve nuk është treguar efektive.
“Me këto ndryshime statutare, nuk ka më shumë zyra, nuk ka zyra që kanë shef e nuk kanë punëtorë, nuk ka më shef sektori që nuk ka punëtor”, ka thënë Haziri.
Sahit Abazi (PDK), ka thënë se shuarja e dy drejtorive po bëhet pa arsye të mjaftueshme. Kurse Fehmi Sylejmani (VV) kërkoi që komisioni ta rishikojë edhe njëherë variantin e propozuar të statutit.
Vërejtje të ngjashme patën edhe Bujar Nevzati e Riad Rashiti (PDK), i cili propozoi që në statut të parashihet edhe themelimi i Komitetit për personat me aftësi të kufizuar, pastaj Nevzad Isufi (VV) si dhe përfaqësues tjerë të opozitës.
Kuvendi ka miratuar edhe Raportin financiar janar-shtator 2014, të cilin e ka paraqitur Ilmi Limoni, drejtor për Buxhet. Ai ka thënë se buxheti i përgjithshëm i planifikuar i Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2014, është 20.125.842 euro. Brenda kësaj periudhe, plani i të hyrave komunale është realizuar 95 për qind, që është për 3 për qind më shumë se vjet në këtë periudhë.
Shpenzimet janë reduktuar ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, sa u përket borxheve të trashëguara nga qeverisja e kaluar, Ilmi Limani, drejtor financiar, ka sqaruar se deri më tani janë shlyer rreth 2 milionë euro, ndërsa kanë mbetur edhe 2.2 milionë euro të tjera.
Zijadin Maliqi (LDK), tha se shpenzimet janë brenda planifikimit, por te shumica e kategorive, ato janë dukshëm më të ulëta se ato të vitit të kaluar dhe këto kursime kanë mundësuar larjen e rreth 2 milionë euro borxhe.
Riad Rashiti (PDK) tha se te disa kategori ka ulje të shpenzimeve, por në total, gjendja është e njëjtë me vitin e kaluar. Ai ka kritikuar qeverisjen aktuale për ndërprerje të partneritetit publiko-privat.
Duke i dhënë përgjigje atij, Haziri ka thënë se Komuna e Gjilanit nuk do të bëjë me biznes me pronën komunale, siç ka bërë administrata e kaluar. “Unë zotohem para juve se Komuna e Gjilanit, në mandatim tim nuk do të bëjë biznes me pronën komunale, siç ka bërë qeverisja e kaluar përmes partneritetit publiko-privat”, ka thënë kryetari Haziri.
Përndryshe, ai ka thënë se si pasojë e fillimit të projekteve pa zotim të mjeteve, 19 programe kanë mbetur të papërfunduara nga vitet e mëhershme.
Në funksion të uljes së mëtutjeshme të shpenzimeve, Haziri ka thënë se do t`i shes veturat e Komunës, përfshirë edhe veturën e kryetarit. “Edhe tani, drejtorët shkojnë në Prishtinë me autobus”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se nuk ka më as dreka zyrtare.
Kuvendi ka qenë unanim te miratimi i dy kërkesave për kompensim të borxheve, të cilat i ka arsyetuar Sadri Arifi, shef i Shërbimit ë Kuvendit. Te rasti i parë bëhet fjalë për një borxh prej 5.531 euro, për rrymë dhe ujë ndaj pronarit Feim Zylfiu, objekti i të cilit ishte kontraktuar nga Komuna me qira, për nevoja banimi të 9 familjeve sociale.
Në rastin e dytë, Komuna është obliguar me një vendim të Gjykatës që Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës t`i paguajë një borxh të mbetur prej rreth 18 mijë euro, për shfrytëzimin e një ish-objekti shoqëror, që ka rezultuar të jetë i kësaj organizate.
Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për transferimin e mjeteve, në vlerë prej 57.906 euro dhe ridestinimin e tyre për nevoja të strehimit të familjeve skamnore.
Kuvendi ka diskutuar edhe për raportin e auditorit të përgjithshëm për vitin 2013, ku po ashtu ka pasur mospajtime ndërmjet pozitës dhe opozitës. Zijadin Maliqi (LDK), i ka prezantuar në pika të shkurtra vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet që i përmban ky raport, duke thënë se janë konstatuar disa parregullsi, derisa Riad Rashiti (PDK), tha se raporti është pasqyrë e punës së mirë që ka bërë qeverisja e kaluar dhe ka bërë një krahasim me raportin e vitit 2007, gjë që ka shkaktuar reagime te vendimmarrësit e LDK-së, duke thënë krahasime të tilla nuk mund të bëhen.
Izmi Zeka (PDK), ish-kryesues i Kuvendit Komunal, duke mos përjashtuar mundësinë që të ketë pasur edhe ndonjë tejkalim procedural, tha se megjithatë ne krenohemi me punën që kemi bërë.
Përndryshe opozita ka ngelur pranë kërkesave të saj për të paraqitur informatë për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërtimet pa leje, gjendjen në shëndetësi dhe të tjera, për çka kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se do të mbahet një seancë e veçantë, ku do të raportohet nga drejtorët për të gjitha kërkesat.
Edhe Lutfi Haziri, kryetar i Komunës u shpreh i gatshëm për të biseduar për të gjitha kërkesat e opozitës, por tha se nuk i pranon assesi tendencat për diskreditimin e tij.
Haziri sqaroi se nuk ka punësime me kontrata në vepër, siç pretendon opozita, por tha se ka në administratë studentë të Universitetit Publik të Gjilanit që janë duke e kryer praktikën. Ndërkaq sa i përket kërkesave te Riad Rashiti (PDK), i cili tha se nuk ka marrë përgjigje me shkrim nga kryetari i Komunës, të cilit i është drejtuar, Haziri tha se nuk ka mundur t`i përgjigjet, pasi që këto lëndë janë duke u hetuar nga prokuroria speciale./2L ONLINE/