Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Gjilanit kanë marrë pjesë sot në debatin publik të organizuar nga ana e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, që është debati numër 36 për tri vite e gjysmë të mandatit qeverisës.
Debati është përcjellë me pyetje, kërkesa, lavdata e sugjerime nga të pranishmit për kryetarin Haziri dhe ekipin e tij.
“Deri tash, me ligj e kemi pasur të obliguar t’i mbajmë dy debate në vit, ose shtatë për këto tri vite e gjysmë. Mirëpo, ne kemi mbajtur pesëfish më shumë – 36. Ky është një tregues i mirë i ballafaqimit me qytetarët me iniciativat tona. I falënderoj organizatat vendore e ndërkombëtare që e kanë vlerësuar lartë këtë”, tha kryetarit Haziri, gjatë adresimit para qytetarëve, duke u zotuar se edhe kërkesat e sygjerimet e sotme do të shqyrtohen kujdesshëm nga ai dhe ekipi i tij.
Duke folur për realizimin e projektetve të mëdha infrastrukturore, Haziri tha se ndihet mirë që finalizimi i lotit të parë të hyrje-daljes Gjilan-Bujanoc në vlerë afro 900 mijë euro, i ka dhënë pamje të mrekullueshme qytetit dhe ka ndikuar shumë në shkarkimin e komunikacionit, përderisa ka paralajmëruar edhe vazhdimin e ndërtimit të rrugës deri te ‘bunari i Përlepnicës”.
“Tash jemi duke punuar në ndërtimin e rrugës katër korsi Gjilan-Livoç i Poshtëm dhe ndërtimi do të vazhdoj deri në Kllokot. Ndërsa, rruga tjetër hyrëse dhe dalëse 3.2 kilometra nga tuneli deri tek penda e Livoçit të Epërm së shpejti do të filloj të ndërtohet dhe Gjilani do t’i përmbyllë investimet sa i përket hyrje daljeve”, tha Haziri.
E rëndësishme, sipas Hazirit, është barazia e investimeve në qytet dhe fshatra, në vlerë prej 2 milionë euro.
“Po e ndërtojmë infrastrukturën nëntokësore, trotuarin dhe rrugët në Zhegër dhe shumë shpejt do t’i përmbyllim investimet atje, ndërsa do të fillojmë me ndërtimin e palestrës sportive në vlerë prej 1.3 milionë euro. Do t’i përmbyllim punët në Dobërçan, Llashticë, Përlepnicë, Bresalc, e fshatra tjera, përderisa do të fillojmë ndërtimin e rrugës së Kumanovës”, u shpreh Haziri.
“Livoçin e Epërm, Livoçin e Poshtëm dhe Malishevën po i integrojmë në zonën urbane të qytetit”, shtoi ai.
Kryetari i Gjilanit ka paralajmëruar vazhdimin e ndërtimit të kolektorëve të lumit “Mirusha”, ndërsa javën e ardhshme do të nis edhe ndërtimi i sheshit mbi shtratin e këtij lumi, për të vazhduar edhe me ndërtimin e shtratit të lumit “Stanishorka” me financim të qeverisë së Austrisë.
“Disiplina e ashpër buxhetore ka ndikuar që Gjilani të lidhë parneritete me SHBA-të e organizatat e fuqishme europiane, duke ndërtuar parkun e çerdhen në “Dardani”, hyrje-daljet, stadiumin etj. Ndërsa, Autostrada Gjilan-Prishtinë përfundimisht do të nis në gusht sepse kjo tashmë është ligj”, ka potencuar ai.
Kryetari Lutfi Haziri nuk la pa i përmendur edhe subencionet e mëdha në sektorin e bujqësisë, duke thënë se me këtë kanë ndikuar në forcimin e familjes, sikurse edhe investimet milionëshe në arsim e shëndetësi.
“Megjithëse kemi vështirësi në realizimin e programeve tona për shkak se 28 punëtorë të Komunës janë të suspenduar pas aktakuzës së prokurorisë, ne do të vazhdojmë ta japim maksimumin me këto kapacitetet që i kemi dhe duke i rritur vazhdimisht’, ka deklaruar kryetari Haziri në debatin e sotëm publik me qytetarët.