(2LONLINE) – Fituesi i zgjedhjeve për kryetar komune Lutfi Haziri ka thënë se fitorja e tij dhe e LDK-së është fitore e të gjithëve dhe se në Gjilan nuk ka humbës, por që të gjithë do të jenë fitues sepse do të qeveriset për qytetarin.
Haziri ka falënderua të gjitha ata që ishin pjesë e këtij procesi dhe kontribuuan që të ndodh ky ndryshim i madh, ndërsa rezultatin prej mbi 60 për qind të votave për të, e quajti rezultat afirmativ që e konsideron si përgjegjësi dhe si obligim për t’i realizuar detyrat që do ti ketë si i pari i komunës.
Përndryshe, Haziri ka kërkuar nga institucionet e komunës që ta vazhdojnë punën e tyre ndërsa ka bërë të ditur se ka emëruar Agim Salihun pjesë të ekipit të kryetarit i cili do të merret me çështjen e tranzicionit të pushtetit në Gjilan.
Sa i përket çështjes së koalicioneve për Kuvendin Komunal të Gjilanit, Haziri ka thënë se LDK është e interesuar ta bartë vendimmarrjen nga zyra e kryetarit te Kuvendi Komunal dhe se është e hapur për bashkëpunim dhe do të jetë si urë bashkëpunimi me të gjithë por assesi nuk mund të kushtëzohet nga askush për këtë gjë.
Hazirit, të cilit edhe përgjatë konferencës i binte telefoni, tha se po merr vazhdimisht urime e përgëzime nga të gjithë e edhe nga anëtarët e partisë rivale, por se ka pranuar që ende nuk ka marrë as urim as ngushëllim, siç tha ai nga rivali Qemajl Mustafa.
Përndryshe, Haziri tha se në nivel LDK-ja është fituese e madhe e këtyre zgjedhjeve ndërsa humbjen e Isa Mustafës në Prishtinë e vlerësoi si befasi por se tha, se nuk mund të pritet përherë nga lojtari kryesor të shënoj het-trik, sepse Mustafën e vlerësoi meritorë edhe për fitore të LDK-së në qendra, tjera derisa për Prishtinën tha se ka qenë rezultat i ngushtë dhe se do të shikohet ku ka pas rrjedhje që shkaktoi humbjen e Isa Mustafës. /2lonline/