(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në zyrën e tij një grup bashkatdhetarësh që jetojnë në Gjermani, të cilët dëshirojnë të investojnë në Gjilan.
Daniel Hagemann, drejtor i kommanisë gjermane “e2tc” i ka prezantuar kryetarit Haziri projekte për mundësimin e energjisë solare, ku edhe kërkoi mbështetjen e tij.
“Jemi të interesuar për investime në Gjilan, meqë jam me prejardhje nga Gjilani. Projektet kanë të bëjnë me investimet në energjinë solare dhe në këtë mënyrë do të përfitojmë edhe vende të reja të punës. Kërkojmë mbështetjen tuaj si Komunë për projektet tona”, është shprehur Hagemann.
Nga ana e tij, kryetari Haziri është shprehur shumë mirënjohës për interesimin e kësaj kompanie për të investuar në Gjilan, duke i ofruar mbështetje me gjithë kapacitetet komunale.
“Komuna mirëpret dhe apllaudon çdo investim, veçanërisht nga bashkatdhetarët tanë. Edhe në Kosovë kërkohet që 20 për qind të jetë energji solare, alternative. Energjia solare është diçka e re për ne në Kosovë. Vërtet ky do të jetë një investim shumë i mirë. Gjithçka që është në përgjegjësi të Komunës, si për sigurimin e çështjeve administrative, pronës e çështje të tjera, do të jemi qind për qind në dispozicionin tuaj”, ka thënë kryetari Haziri gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatës e2tc, të cilët në Gjilan parashikojnë investime milionëshe.
Gjatë ditëve në vijim përfaqësuesit e kompanisë “e2tc” deklaruan se do të përfundojnë të gjitha procedurat për investimet e parapara në Gjilan, në projektet për energjinë solare./2lonline/