(2LONLINE) – Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri së bashku me kryesuesen, nënkryetarin dhe drejtorët, kanë pritur në një takim pune dhe konsultimi, përfaqësuesit e Kompanisë “DesJoyaux”, respektivisht menaxherin e eksportit David Gaillard, të cilët janë të interesuar për investime në Gjilan, kryesisht në pishina (olimpike dhe para-olimpike), ambiente rekreative – sportive dhe renovime.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka falënderuar kompaninë “DesJoyaux”, që kanë shprehur interesimin për investime në Gjilan, dhe ka theksuar se Gjilani i mirëpret investitorët e huaj për të krijuar mundësi më të mëdha dhe vende pune për qytetarët e Gjilanit.
“Palestra e Sporteve, Stadiumi dhe hapësira të tjera në Komunën tonë mund të jepen me partneritet publiko-privat. Ne jemi të gatshëm që t’i lëvizim gjërat përpara. Angazhimi im por edhe i gjithë stafit tim është në shërbimin tuaj, sepse të gjithë ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe një jete më të mirë për ta. Ju propozoj që t’i vizitoni këto lokacione për të përcaktuar investimet konform interesimit tuaj”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa, David Gaillard, menaxher i eksportit, ka thënë se si kompani janë të gatshëm të investojnë dhe projektojnë ndryshimet në ambientet ekzistuese që i menaxhon Komuna e Gjilanit.
“Ne sot jemi këtu të njoftohemi me mundësinë e Partneritetit Publiko – Privat, lokacionet ku mund të hyjmë në këtë partneritet dhe përfitimin që do ta kenë qytetarët e Gjilanit. Ne do të dalim të shohim këto lokacione dhe së bashku me projektuesit tanë do të studiojmë projektimin dhe mundësinë e investimeve këtu”, tha ndër të tjerash ai.
Ndryshe, Kompanisë “DesJoyaux”, operon dhe ka aksione në mbi 80 shtete të ndryshme të botës, ndërsa selia qendrore e saj është në Lyon të Francës. /2lonline/