DYLON

Haziri: Mësimdhënësit e gjimnazit “Zenel Hajdini” na mësuan shumë për t’u bërë të pavarur

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Është promovuar sot në Gjilan monografia e gjimnazit “Zenel Hajdini” të autorit Tefik Selimi, në 70-vjetorin e themelimit të kësaj shkolle, e cila vlerësuar si një libër dokumentar, libër portretesh me synim për të qenë kronikë e rrugëtimit të këtij Gjimnazi.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili edhe e ka financuar ribotimin e monografisë, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, drejtues të Gjimnazit, mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i ka falënderuar mësimdhënësit e kësaj shkolle për kontributin e tyre për të nxjerrë gjenerata elitare.

“Zenel Hajdini mbetet emri i gjimnazit tonë por që personifikon luftën deri në sakrificë për të drejta për liri dhe për barazi, është emri i kryengritësit më të madh të kësaj ane kundër një mbretërie okupuese për shqiptarët. I falënderoj të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle për luftën e madhe që kanë bërë për të na detyruar për të nxënë dije, për të mësuar shumë, duke na rreshtuar drejt në një uniformë dhe me një rresht që të bëhemi të pavarur. Gjimnazi ka evoluuar shumë që nga themelimi dhe besojmë shumë që do të evoluoj edhe më shumë në aspektin shkencor”, tha Haziri, duke shtuar se ky përkushtim i mësimdhënësve po vazhdon të jetë prezentë edhe në ditët e sotme.

“Edhe sot, përkushtimi i mësimdhënësve është që t’ju detyrojnë të mësoni shumë për një Kosovë evropiane, të zhvilluar, të integruar dhe për gjithçka që duhet për ta nxënë hapin e humbur që ne si popull e kemi për shkak të sakrificës e okupimit. Jam i nderuar që isha gjimnazist dhe dua t’ju them që gjimnazi ka mbetur gjithmonë shkollë elitare për shkak të përgatitjes së kuadrove dhe interesit që zgjon edhe te prindërit dhe nxënësit. Urime 70-vjetori i themelimit”, tha kryetari Haziri.

Sami Hoxha, drejtor i gjimnazit shoqëror, tha se nuk ka asnjë dyshim se gjimnazi i Gjilanit që në fillimin e tij pati për qëllim që nga krijimi i kuadrove të arsimuara, gradualisht të shndërrohet në një shkollë elitare, që do të përfshinte ajkën e të rinjve në drejtim të nxënies së dijës.

Nazmi Musa, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit pohoi se sot po kremtohet 70-vjetori i kësaj vatre të diturisë, në të cilën punohej me zell nga mësimdhënësit dhe nxënësit.

Ai vlerësoi se ata u bënë promotor të zhvillimit të fushave të ndryshme shkencore, politike, kulturore e atdhetare – u bënë yje që sollën dritën e lirisë të cilën po e gëzojmë ne sot.

Në promovimin e monografisë kanë folur referuesit, Mehmetali Rexhepi e Faik Sahiti, sikurse edhe autori Tefik Selimi.

Në fund, të pranishmit janë argëtuar nga një program i pasur kulutor-artistik të përgatitur nga nxënësit e gjimnazit “Zenel Hajdini”, shkollë kjo e themeluar më 20 prill të vitit 1945. /2L ONLINE/