/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, nën kryesimin e Agim Bellës, të shoqëruar nga Agim Bërdynaj, zëvendës ministër i Arsimit, me të cilët ka bashkëbiseduar për mundësinë e bashkëpunimit mes Komunës së Gjilanit dhe mërgatës shqiptare në shtetin e Suedisë, shtet ky mik i Republikës së Kosovës.
Në këtë takim kryetari Haziri është shprehur i gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit të Komunës së Gjilanit, me Unionin e Shoqatave Shqiptare në Suedi, por edhe me mërgatën në përgjithësi, me qëllim të ruajtjes, kultivimit dhe afirmimit të vlerave kulturore, artistike, shkencore e intelektuale.
Haziri pos tjerash ka thënë se Komuna e Gjilanit ka një përqindje të lartë të banorëve të saj në botën perëndimore, kryesisht në Zvicërr, Gjermani, Francë, në vendet skandinave, gjithandej nëpër Evropë dhe deri në Amerikë, Kanada dhe shtete të shumta gjithandej botës, që shprehur në përqindje del se këto shifra janë mbi 33 për qind.
“Numër i madh i qytetarëve të Gjilanit jetojnë në mërgatë. Gjilani është përherë falënderues për mbështetjen që ata japin vazhdimisht për Kosovën dhe për Gjilanin në veçanti. Aktivitetet e ndryshme do të vazhdojnë përherë në Gjilan, dhe urat lidhëse të bashkëpunimin institucional asnjëherë nuk do të shkëputen, por çdo herë do të forcohen edhe më shumë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri në fjalën e tij.
Ndërsa, nga ana e tij në emër të delegacionit, Ahmet Bella, nga Unioni i Shoqatave shqiptare në Suedi, ka thënë se në kuadër të këtij unioni janë të përfshirë një numër i madh i organizimeve shqiptare, që në përgjithësi ky numër arrinë në rreth 70 shoqata të ndryshme.
Gjithashtu Bella është shprehur falënderues për gatishmërinë e Komunës që të bashkëpunoj përmes projekteve të ndryshme në aspektin e organizimeve kulturore, artistike, shëndetësore, sportive, arsimore etj., në mënyrë që mërgata të jetë pjesë e agjendës shtetrore të Republikës së Kosovës. /2L ONLINE/