(2LONLINE) – Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit e ka nisur praktikën e re të mbajtjes së mbledhjeve me Bordin e drejtorëve të Komunës së Gjilanit të hapur për mediat dhe shoqërinë civile, që është e 32-ta që nga marrja e pozitës së kryetarit.
Kjo praktike e re e punës, kryetari Haziri tha se po bëhet për të qenë transparent qind për qind me qytetarët e Komunës së Gjilanit.
Me të nisur mbledhja, Haziri tregoi edhe për praktikën e re të ekspozitave në Zyrën e kryetarit, ku për çdo muaj do të promovojnë veprat e tyre artistët gjilanas. Sot është hapur ekspozita e profesoreshës Magbule Xhemajli dhe veprat e saj do të promovohen për një muaj.
“Mbledhja e kësaj natyre po bëhet në mënyrë që mediat, shoqëria civile dhe qytetarët të përcjellin angazhimet tona, modelin e punës, formën e punës, formatin e punës, dhe vendimmarrjen në Komunës tonë lidhur me zgjidhjen e problemeve”, tha Haziri.
Kryetari Haziri ka deklaruar se me sukses po përmbyllet faza e parë e punëve, që ka të bëjë me tranzicion të pushtetit, implementim të rezultateve zgjedhore, identifikim të problemeve etj.
“Për hirë të njoftimit të qytetarëve, prej 24 dhjetorit e deri më sot, duke pasur parasysh edhe një periudhë kohore ku drejtorët e rinj janë angazhuar më vonë, pasi ka pasur angazhime të ushtruesve të detyrave, deri sot ne kemi arritur ta përmbyllim fazën e parë të punëve që ka të bëjë me tranzicion të pushtetit, implementim të rezultateve zgjedhore, identifiki8m të problemeve, prerje buxhetoreve, dëgjim të qytetarëve. Në zyrat tona, prej 24 dhjetorit i kemi dëgjuar kërkesat problemet dhe hallet e mbi 4000 qytetarëve, të cilat janë kryesisht kërkesa sociale, të strehimit dhe punësimit”, ka thënë Haziri.
Më pas janë dëgjuar raportet e të gjithë drejtorëve të drejtorive të Komunës së Gjilanit, për punën e tyre që nga marrja e pozitës udhëheqëse.
Kryetari Lutfi Haziri, pasi ka dëgjuar raportet e se3cilit drejtor, ka bërë publike formimin e dy Task Forcave, atë për bujqësinë dhe për grumbullimin e listës së borxheve që i kanë qytetarët dhe subjektet ndaj Komunës, pas Task Forcës së themeluar më herët për menaxhimin e thatësisë.
Gjithashtu, në këtë mbledhë të Bordit është publikuar alokimi i 100 mijë eurove për rastet sociale, me të cilën do të merret Drejtoria e Shëndetësisë, që përfshinë renovimin, rehabilitimin, ndërtimin e shtëpive për skamnorët dhe rastet e rënda sociale. Këto mjete përfshinë edhe rastet më të rënda si të moshuarit, familjet me jetim dhe me probleme sociale që gjendja apo jeta i ka rënduar në këtë pozitë që janë.
Po ashtu, në 3 mujorin e parë janë ndarë 2.5 milionë euro për investime në infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës, trotuare dhe ndriçim.
Komuna e Gjilanit në ka konkurruar në 12 programe të donatorëve të ndryshëm, ndërsa në konferencën e donatorëve ka konkurruar me 4 projekte të regjionit lindje.
Projekti i parë që do të nis është rregullimi i varrezave të dëshmorëve, pastaj rregullimi u rrugës me 4 korsi nga rruga e Malishevës në drejtim të rrugës së Bujanocit.
Kryetari Haziri e informoi Këshillin të Drejtorëve për hapin e madh për përfshirjen e Gjilanit në zonën e lirë ekonomike, ku Gjilani është qendër e mikro-regjionit të lindjes, Gjilan- Preshevë-Kumanovë, në të cilin marrin pjesë edhe 17 komuna të tjera.
Ai tha se në këtë fazë hyjnë edhe ndërtimi i shkollës së arteve dhe qendrës për rini.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se si nevojë e realizimit të shpejt, është ndërtimi i dy çerdheve, njëra në Dardani dhe tjetra në qendër sepse duhet larguar nga objektet që janë me qira.
Projekt tjetër me rëndësi është Tregu i Gjelbër, ku do të themelohet ndërmarrja për tregjet në mënyrë që të bëhet modernizimi i atij lokacioni, në të cilin qarkullon një numër i madh i qytetarëve.
Projekti tjetër është ndërtimi i kinemasë së qytetit dhe zgjidhjes së problemit të statusit të Teatrit të qytetit, si dhe ndihmesa për kulturën, rininë dhe sportin.
Vendimi tjetër është vendimi për shpalljen e ankandit për shitjen e veturave të vjetruara pasi shpenzimet dhe mirëmbajtja e tyre rëndojnë buxhetin e Komunës.
Gjithashtu, Haziri ka informuar se ditëve në vazhdim do ta marrim vendimin që ushtrimin pozitës së kryetarit, nënkryetarit dhe kryesueses për një ditë ta bëjnë fëmijët nga mosha 13 deri 17 vjeçare.
Haziri poashtu tha se që nga sot, ka nisur zhvendosja e stafit të zyrës së Kryetarit, për t’ia liruar objektin Muzeut të Gjilanit, e që ishte edhe premtim i tij nga fushata elektorale.
Ndryshe, kjo mbledhje e Këshillit të Drejtorëve është transmetuar drejtpërdrejtë në dy radio lokale; radio viktoria dhe radio star. /2LONLINE/