(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Universitetit Publik r të Gjilanit “Kadri Zeka”, në kuadër të programit “Guest Speaker”, të cilin e ka moderuar profesori Flamur Hyseni.
Kryetari Haziri, ndër të tjera ka folur për karrierën e tij politike, që daton nga vitit 1990 si student i Universitetit të Prishtinës, e deri në ditët e sotme.
Gjatë karrierës 24 vjeçare, Haziri tha se ka marrë pjesë në të gjitha proceset politike të Kosovës, duke e përshkruar me shumë sfida e suksese dhe në të njëjtën kohë ndihet krenarë për gjithçka që i ka dhënë Kosovës.
Ai tha se karrierën e tij e karakterizojnë 3 faza të rëndësishme. E para, ka të bëjë me rezistencën aktive politike kundër Serbisë për liri dhe demokraci të Kosovës. E dyta, për procesin e pasluftës, që ka të bëjë me shtet-ndërtimin dhe e treta për angazhimet e mëdha në periudhën post-pavarësi, pra nga viti 2008 e këndej.
Gjatë rezistencës aktive kundër Serbisë për liri dhe demokraci, ka qenë periudha më e rëndë e z. Haziri, ku është spikatur përgatitjen e tij në kampet në Shqipëri për t’iu kundërvënë me luftë, derisa periudha më e rëndë ka qenë ajo kur në nëntor të vitit 1998, u arrestua dhe u burgos nën akuzat e udhëheqjes së strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut të Gjilanit.
Për fazën e dytë, theksoi se ka qenë po ashtu e vështirë, me shumë sfida, probleme, e debate të brendshme e të jashtme lidhur me shtet-ndërtimin, që përfshinë standardet para statusit, periudhën e rëndë të negociatave të Vjenës e deri te përgatitja për shpalljen e pavarësisë.
Ndërsa për fazën e tretë, ka folur për mbikëqyrjen ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë, për misionin e EULEX-it, të cilit i janë dhënë kompetenca ekzekutive, e deri tek rrugëtimi drejt rizgjedhjes kryetar i Gjilanit në mënyrë plebishitare, me mbi 26 mijë vota.
Pas ligjëratës, pasuan pyetjet dhe interesimet e shumta të studentëve, të cilave i është përgjigjur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. /2lonline/