Haziri: Lamtumirë Baca Rexhë!

Haziri: Lamtumirë Baca Rexhë!

Gjilani u nda të premten nga atdhetari Rexhep Berisha, i cili ishte simbol i burrërisë dhe i urtësisë shqiptare, ishte shembull i qëndresës kombëtare për gati një shekull jetë.

Në nderim të kësaj figure emblematike, në Gjilan janë mbajtur dy mbledhje komemorative, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve dhe strukturave lokale e qendrore si dhe qytetarë të shumtë.

Duke folur në mbledhjen komemorative të Kuvendit Komunal, i cili Rexhep Berishën e kishte shpall “Qytetar Nderi” në vitin 2015, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në përkujdesjen e të cilit u zhvillua ceremonia e varrimit të këtij atdhetari të madh, ka thënë se Rexhep Berisha mbetet nderi ynë i përjetshëm, përkundër lamtumirës që sot po ia japim këtij njeriu, i cili me veprat dhe fjalët e tij, la prapa shembullin e krenarisë.

Më tutje, Haziri ka theksuar se Ky Kuvend Komunal e ka pas për nder, së bashku me mua dhe të tjerët, që ka arritur ta nderojë për së gjalli një njeri të tillë me titullin “Qytetar Nderi”.

Rexhep Berisha, së bashku me familjen e tij, nuk ia dhanë vetëm një hero Kosovës, nuk ia dha vetëm kryengritësin e viteve të 80-ta, Nuhi Berishën, por përmes djalit të tij, përmes veprës së tij, ai u bë shembulli më i mirë i djemve dhe vajzave të Kosovës që u kryengritën për të drejta dhe liri të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, në atë krijesë që shqiptarët nuk i trajtonte të barabartë me popujt tjerë.

Baca Rexhë i rezistoi dhunës së kohës. Duke u ndarë nga djali i tij, ai dëshmoi shembullin e rezistencës në familje dhe tek e gjithë trashëgimia që ka lënë pas.

“Sot e tutje, Gjilani dhe gjilanasit dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta quaj, axha Rexhep, as vetëm babai i Nuhi Berishës, sepse ai, sot e tutje është Rexhep Berisha dhe si njeri i kombit, si qytetar nderi i Gjilanit, është babai i të gjithë neve”, ka thënë kryetari Haziri.

Baca Rexhë ishte njeri që as nuk gëzohej shumë në festa të mëdha dhe as nuk ka qenë prej atyre baballarëve që janë përkulë dhe gjunjëzuar në dhimbje e ndarje të mëdha.

“Ne po e përcjellim sot Rexhep Berishën si baba të qytetit tonë”, ka thënë Haziri, ndërkohë që i ka quajtur mosmirënjohës këshilltarët, të cilët nuk ishin të pranishëm në këtë seancë komemorative, për t`i bërë nderin e fundit dhe për t`i dhënë lamtumirën e fundit atdhetarit Rexhep Berisha.

Haziri ka thënë se nën përgjegjësitë e mia politike, Rexhep Berisha, është i pari autoritet i cili do të varroset në varrezat e dëshmorëve, ndërkohë që Kuvendi Komunal do të nxjerrë një rregullore për varrimin e njerëzve të merituar, në një hapësirë të veçantë në këtë lokacion.

Kryetari Haziri e ka përmbyllur fjalën e tij me: “Lamtumirë baca Rexhë”!

KOMENTE