Haziri: Kurti e ka përjashtuar Gjilanin nga investimet dhe kuadrot
Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, duke e akuzuar për përjashtim sistematik të Gjilanit nga investimet zhvillimore gjatë gjashtë viteve të fundit. Sipas tij, ky përjashtim nuk është ndalur vetëm në projekte, por ka prekur edhe kuadrot profesionale dhe figurat e njohura nga ky qytet.
Haziri thekson se Gjilani është lënë anash “me lehtësi të padurueshme” nga projektet zhvillimore, duke ngritur pyetjen pse përveç investimeve janë anashkaluar edhe personalitetet që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fusha të ndryshme.
Ai përmend rastin e aktorit dhe figurës së njohur të kinematografisë kosovare, Fatmir Spahiu, i cili sipas tij ishte nominuar për ministër para zgjedhjeve, por pas tyre u anashkalua pa asnjë sqarim apo kërkimfalje. Një situatë të ngjashme, Haziri thotë se e ka përjetuar edhe Dr. Feride Rushiti, e cila sipas tij u nominua vetëm formalisht për presidente, pa synim real për t’u zgjedhur.
Sipas Hazirit, këto raste dëshmojnë një qasje të papranueshme ndaj qytetarëve të Gjilanit, të cilët, siç thotë ai, po shfrytëzohen vetëm për vota, ndërsa u mohohen projektet zhvillimore dhe përfaqësimi i merituar. Ai shton se përdorimi i emrave dhe autoriteteve të njohura bëhet për të tejkaluar kriza politike, pa një angazhim të sinqertë për përfshirje dhe zhvillim real. /2LONLINE/
