(2LONLINE) – Nipi i dëshmorit Agim Ramadani, që është foshnje disamuajshe dhe që mban emrin e këtij kolosi të luftës për liri, ka bërë sot homazhe së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, para përmendores në qendër të qytetit.
Homazhet janë bërë për nderë të shënimit të 15 vjetorit të rënies së dëshmorit Agim Ramadani në Betejën e Koshares, dhe të pranishëm ishin edhe bashkëluftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, si: Rrustem Berisha, deputeti Anton Çuni etj., familjarë, shokë e miq të Agimit.
Kreu i Gjilanit tha se prezenca e Agimit të vogël tregon se Agim Ramadani ka luftuar për gjeneratat e ardhshme.
“Kjo është ajo që Agimi ka luftuar për gjeneratat e reja, gjeneratat e ardhshme. Agim i vogël, do të jetë trashëgues i asaj vlere, i asaj embleme të madhe të luftës për liri. Sigurisht që familja e tij e mban me krenari, por gjithë kjo zonë e Kosovës dhe e shqiptarisë do të jetë histori e shënuar me shkronja të arta, tha Haziri.
Haziri theksoi se Gjilani sot është krenar me Agim Ramadanin dhe që është sublimim i luftëtarit të Karadakut.
“Gjilan sot është krenar. Krenaria e ka emrin Agim Ramadani që është sublimim i luftëtarit të Karadakut, luftëtarit të Gjilanit dhe kësaj pjese të madhe të Kosovës. Lufta për Kosovë dhe për shqiptari ka qenë mision i tij. Fatkeqësisht gjysma e rrugës është realizuar. Krismat e luftës dhe liria e kërkuar për të gjithë, duhet të punohet që të realizohen. Amaneti i tyre është që të gjithë shqiptarët kudo që janë të jetojnë të lirë e të bashkuar dhe sot në Kosovën e lirë duhet të punojmë shumë që vërtetë ata të pushojnë qetë sepse sakrifica e madhe, gjaku i derdhur, thyerja e kufirit, mbeten simbolika më e madhe e tij, që Agimi dhe bashkëluftëtarët e Brigadës 138 dhe të gjithë bashkëluftëtarët e luftës çlirimtare, e kanë vulosur njëherë e përgjithmonë këtë ditë të bardhë në Kosovë dhe Gjilan”, pohoi Haziri. /2lonline/