/2L ONLINE/ – Manifestimi shumëkulturor “Flaka e Janarit” që tashti ka bërë emër kudo në trojet shqiptare, mëtohet të përfshihet në një monografi, e cila mbase do të mund të botohej në ndonjërin nga përvjetorët e ardhshëm.
Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur zotimin për mbështetjen e botimit të një monografie, të cilën e ka vlerësuar tejet të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë së këtij manifestimi, i vetmi që i nderon heronjtë, dëshmorët e martirët e Gjilanit përmes vlerave kulturore.
Bashkim Nexhepi, udhëheqës i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, që vije nga arti skenik, tha se ka qenë pikërisht Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, që mblodhi artistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe e cila solli shfaqje, gjithmonë që frymuan shqip, me tekste të autorëve shqiptarë.
Hasan Bunjaku, doajen i gazetarisë dhe i kyçur në “Flaka e Janarit” që nga ditët e para të saj, ka thënë se nuk guxojmë t’i harrojmë ata që e ndezën këtë flakë.
Bunjaku, duke folur për shtyllën e artit letrar, tha se ajo ishte ndër shtyllat kryesore, që e përcolli “Flakën…” që nga dita e parë, kurse e veçanta ishte konkursi letrar, ku defiluan qindra konkurrues.
“Flaka e Janarit” ka përparuar artin letrar”, ka thënë Bunjaku.
Isa Jakupi, nga arti muzikor, tha se kjo nismë për monografi është dashur të vije edhe më herët dhe rikujtoi se barëtëse e aktiviteteve muzikore ishte Shoqata e Pavarur Kulturore që u formua më 1991 dhe mori nismën për ngjalljen e jetës muzikore. Sipas Jakupit, SHPK ndihmoi edhe aktivitetet tjera të “Flakës…” dhe përkundër se vepronte në kohë e kushte të vështira, bashkë me kolegët e Shkollës së Muzikës mbajtën gjallë aktivitetet.
Avni Behluli nga arti pamor, tha se artistët nuk duruan dhunën serbe, andaj nisën që të ngjallin jetën edhe në kushte okupimi, andaj “Flaka e Janarit” krah të fortë pati edhe artistët figurativë që iu bashkëngjitën manifestimit, fillimisht duke hapur ekspozitë në SHF “Selami Hallaqi”, më pas edhe në restorantin “Kulla”, SHF “Abaz Ajeti”, Shkolla e Muzikës, e në restornat “Konaku”, kurse “Peneli i Flakës” një armatë të tërë artsitësh. /2L ONLINE/