Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar durim nga banorët e “Rrugës së Kumanovës”, të cilët ditë më parë kanë reaguar se janë lënë pasdore nga të gjitha qeverisjet e deritanishme, pasi rruga e tyre nuk po asfaltohet, duke thënë se është në projekt dhe se aty do të ketë investime.
Shih shkrimin: “Deri kur do të presim dorën e komunës!”
Lidhur me reagimin e qytetarëve të kësaj lagje, se janë lënë pasdore dhe se me fjalë, rruga e tyre është shtruar disa herë, nga qeverisjet e deritanishme, kreu i komunës Haziri e ka mohuar një gjë të tillë, por ka pranuar se mund të ketë qenë gabim në vendosjen e prioriteteve, pasi ka mundur të vendoset kjo rrugë më në prioritet. Megjithatë, ai theksoi se aty do të ketë investime sistematike, pasi aty nuk ka nevojë vetëm për asfaltim, por edhe për investime në infrastrukturën nëntokësore, për të kaluar pastaj me asfaltim, trotuare e ndriçim publik.
“Asfaltimi i asaj rruge është në projeksione tona, është në kuadër të investimeve të mëdha që po bëhen dhe do të bëhen në Komunën e Gjilanit, Ne kemi filluar korridorin e parë në drejtim të “Bunarit të Përlepnicës”, në rrugën e Bujanocit. Jemi duke e ndërtuar korridorin e dytë ,Gjilan – Livoç i Poshtëm, që do të vazhdojë deri në Kllokot. Korridori i tretë është “Rruga e Prishtinës”, që është 7.1 km, prej tunelit të “Rrugës së Prishtinës”, ndërsa e katërta do të jetë “Rruga e Kumanovës””, ka thënë Haziri.
Sipas tij, “Rruga e Prishtinë” dhe “Rruga e Kumanovës”, janë në pritje sipas dinamikës që është paraparë, “Është rrugë që kushton 3 milion euro dhe është rrugë që ka nevojë me ia rregullua infrastrukturën nëntokësore, në pjesën më të madhe të lagjes. Sepse ne mund ta shtrojmë një rrugë në fushata dhe për fushata zgjedhore, por unë nuk i favorizojë këto mënyra të investimeve”, ka thënë tutje Haziri.
“Komuna do të bëjë edhe një “Bypass” mes “Rrugës së Kumanovës” dhe asaj të Ferizajt, e cila do të jetë një gjysmë unaze që shkarkon trafikun nga qendra e qytetit, në të ardhmen Ky është qëllimi dhe projeksioni jonë kryesor”, ka thënë kreu i komunës.
Por, ai edhe njëherë u shpreh se kur janë në pyetje prioritetet, mund ta pranon që ka mund të jetë gabim në vlerësim pse te prioritetet, kjo rrugë, nuk ka qenë e para. “”Rruga e Kumanovës”, e ka merituar dhe ka qenë dashtë të jetë prioritet numër një, pra me fillua nga ajo rrugë, por tani më kanë filluar projektet, andaj, kërkohet edhe pak durim të kenë ata banorë, sepse rrugët do të fillojnë dhe do të përfundojnë, pra edhe “Rruga e Kumanovës””, ka thënë Lutfi Haziri.