(2LONLINE) – Në nderim të 25-vjetorit të rënies së dëshmorit Agim Rashiti, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka vizituar sot familjen e dëshmorit.
Kryetari Haziri tha me këtë rast se familja e dëshmorit Rashiti dhe i tërë Gjilani është krenarë për sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Falë sacrificës së madhe të Agimit Rashitit dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë, ne sot jemi dëshmitarë të gjallë dhe e kemi këtë ditë të bardhë të lirisë. Agimi dhe të gjithë dëshmorët tanë, sot na bëjnë të ndihemi të vegjël, na bëjnë të ndihemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që amaneti i tyre, sakrifica e tyre të çmohet dhe të ecim përpara. Falë rezistencës dhe idealit të tij, Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë e vendit, prandaj vepra e këtij kolosi e bënë krenarë Gjilanin, Anamoravën dhe mbarë Kosovën”, tha kryetari Haziri.
Ndryshe, për nderë të shënimit të 25 vjetorit të rënies së dëshmorit Agim Rashiti, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri organizohet turneu ndërkombëtar në boks “Agim Rashiti 2014”.
Ky është turneu i 20-të jubilar dhe do të mbahet sot më 10 maj 2014, në ora 18:00, në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.
Në këtë turne marrin pjesë boksier nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Çekia, Polonia dhe boksier nga Novi Pazari. /2lonline/