DYLON

Haziri: Jam i gatshëm të përpjesëtojë vendimmarrjen me opozitën

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit është e gatshme të themelojë Komitete Konsultative, si nevojë për rritjen e mundësive për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, kanë thënë të enjten, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, në një takim të organizuar nga OSBE-ja.

Pas një diskutimi të gjerë, ku pos zyrtarëve të OSBE-së, Afrim Nysreti e Basri Sejdiu, janë përfshirë me mendimet e tyre edhe përfaqësues të subjekteve politike, pjesëmarrëse në asamble komunale si dhe shoqëria civile, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se për momentin, duhet t`i jepet përparësi themelimit të një Komiteti për banim social, si nevojë emergjente për adresimin dhe trajtimin sa më efikas të këtyre problemeve.

EkoHigjiena

Haziri ka thënë se i mbetet Kuvendit Komunal që në procedurat e mëtejmë t`i jap drejtimin e duhur themelimit të kësaj trupe konsultative, në përputhje me Udhëzimin Administrativ si dhe Statutin e Komunës, duke bërë edhe një rishikim të Komiteteve jo obligative, nëse është e nevojshme.

Në lidhje me Komitetet ekzistuese, obligative dhe jo obligative, ku shoqëria civile pati vërejtje sa i përket kryesimit të këtyre trupave, Haziri tha se është plotësisht i gatshëm të përpjesëtojë me opozitën vendimmarrjen, sipas formulës ekzistuese në Kosovë.

Përndryshe, Haziri ka thënë se qëllim i tij është fuqizimi i rolit të Kuvendit Komunal, që ka 35 anëtarë, për të larguar çdo tendencë për instrumentalizimin e fuqisë në një autoritet të vetëm. “Ideja ime është që edhe komitetet të depolitizohen”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se komitetet bëjnë një punë të mirë, në dobi të funksionimit dhe vendimmarrjes sa më efikase të asamblesë komunale.

Kurse sa i përket kryesimit të komiteteve, ajo ka thënë se opozita nuk ka dashur vetë të marrë përgjegjësi drejtuese, por u shpreh e gatshme për të bërë një riorganizim të këtyre trupave komunale, nëse është e nevojshme.

Sa i përket themelimit të komiteteve konsultative, ajo tha se i takon kryetarit të Komunës të vendos nëse ka nevojë për të mbuluar një sektor të caktuar me një trupë ekspertësh. Kuvendi do ta bëjë punën e vetë, duke e proceduar kërkesë për vendimmarrje, ka thënë ajo. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.