/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me drejtorë të drejtorive komunale dhe bashkëpunëtor të tjerë, kanë vizituar sot Ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, ku janë interesuar për angazhim konkret, për mbështetje në zhvillim të ndërmarrjes, rivitalizim dhe rritje të shërbimeve për qytetarët, të cilët marrin shërbime të transportit aty, por njëkohësisht kanë bërë edhe vizitë në lokacionin që do të nis së ndërtuari Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe hyrje-dalja Gjilan-Ferizaj.
Përgjatë kësaj pjese priten zhvillime të ndryshme e të shumta infrastrukturore dhe shërbyese për qytetarët, duke nisur nga shërbimet shëndetësore, transportuese por edhe zhvillimore të hapësirës përreth, me kulmimin e ndërtimit të objektit QKMF-së dhe rrugës me katër korsi, që do të kaloj në këtë pjesë përgjatë ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve”, ka njoftuar kryetari Haziri.
Ai gjatë qëndrimit në “Stacionin e Autobusëve”, ka ofruar mbështetjen e fuqishme për zhvillim të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrje komunale, duke paralajmëruar ndryshime konform interesit të qytetarëve për shërbime më të mira në këtë pjesë.
“Kjo ndërmarrje po ec mirë, megjithse ka nevojë për mbështetjen e Komunës që ajo të zhvillohet edhe më tutje, të jetë më funskionale si dhe të bëhet qendër modern me kushte dhe shërbime të shpejta e profesionale. Kjo ndërmarrje pos që është një qendër e madhe e Anamoravës, në një të ardhme të afërt do të frekuentohet edhe nga udhëtarë të shumtë të komunave të regjionit të Kumanovës. Njëkohësisht në këtë qendër shumë pranë do të filloj ndërtimi i QKMF-së me standarte modern dhe më rritje më të madhe edhe të shërbimeve shëndetësore për pacientë. Shërbimet shëndetësore, ato të transportit të udhëtarëve dhe hapja e rrugës së hyrje-daljes në drejtim të Ferizajt do të ndikojnë pozitivishtë edhe në zhvillimin dhe rritjen e shërbimeve për stacionin. Me një fjalë përgjithësisht ky lokacion do të jetë pjesë e punimeve të mëdha e fillimit të ndryshimeve positive dhe rritjes së shërbimeve për qytetarët e Gjilanit, me të gjitha Komunat e këtij regjioni dhe të gjitha regjioneve për rreth”, ka thënë kryetari Haziri.
Njëkohësisht Haziri, ka bërë të ditur që investimet në stacion, në QKMF dhe në rrugën Gjilan-Ferizaj do të nisin së shpejti. /2L ONLINE/