/2L ONLINE/ – Ndonëse e dielë, ditë pushimi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka inspektuar punimet në renovimin e objektit të teatrit të qytetit, ndërsa theksoi se qëllimi është që stafit t’i krijohen kushte më të mira dhe të prodhohen shfaqje sa më profesionale.
“Jam i kënaqur me dinamikën punëve në renovimin e objektit të teatrit. Ky është vend i krenarisë se qytetit dhe ky ka qenë qëllimi jonë që të investojmë në mënyrë që objekti të bëhet dinjitoz dhe kushtet e punës për stafin të jenë më të mira. Tashmë qyteti i Gjilanit veç e ka marrë epitetin e kryeqendrës kulturore të shiqptarëve dhe kjo na obligon edhe më shumë që të punojmë në këtë aspekt”, ka thënë Haziri.
Po ashtu, Haziri ka përmendur edhe projektet tjera të Komunës të cilat janë realizuar për teatrit dhe në përgjithësi për kulturën, siç është zgjedhja e ansamblit të aktorëve me anë të konkursit publik, shpallja e konkursit për drejtor, miratimi i kalendarit kulturor nga ana e Bordit, sikurse edhe buxhetimi i teatrit nga ana e Komunës, derisa do të shpallet edhe pozita e drejtorit artistik të teatrit të Gjilanit.
“Më bënë të lumtur fakti se pas më shumë se 20 vjetëve, kemi arritur që shfaqjet që prodhohen në këtë teatër të rrugëtojnë nëpër të gjitha shkollat e Gjilanit. Synimi ynë është që të dalim edhe jashtë Komunës dhe Republikës”, ka deklaruar kreu i Gjilanit.
Përndryshe, projekti i renovimit të objektit të teatrit të qytetit kap koston e mbi 100 mijë eurove dhe po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /2L ONLINE/