(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot klubin e karates “Elita”, të cilët e njoftuan për mbarëvajtjen e klubit, sukseset dhe sfidat.
Përfaqësuesi i klubit të karatesë, Bashkim Byqmeti, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, theksoi se klubi të cilin e përfaqëson ka treguar suksese të mëdha që nga themelimi i tij në vitin 2010, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e Komunës për të vazhduar me suksese edhe më të mëdha.
“Ne jemi klub që jemi themeluar në vitin 2010, ndërsa në vitin 2011 jemi shpallur si ekipi më i mirë U14, më 2012 jemi shpallur ekipi më i mirë në Gjilan, e sukseset kanë vazhduar edhe në vitin 2013. Jemi klub i madh dhe garat tona janë shumë të ngjeshura, andaj kërkojmë mbështetjen e Komunës”, ka thënë Byqmeti, i cili shoqërohej edhe nga kampionët e këtij klubi.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar përfaqësuesin e klubit për vizitën, ndërsa i ka garantuar për përkrahjen e aktiviteteve të këtij klubi në të ardhmen.
“Unë ju përgëzoj për sukseset e klubit “Elita”. Jemi duke e bërë evaluimin buxhetor, sepse jemi në dietë të rëndë shkaku i borxheve. Nuk kemi faj as ne e as ju për këtë, por ju garantoj se do ta keni mbështetjen e komunës me të gjitha mundësitë tona për të pasur suksese edhe më të mëdha”, tha kryetari Haziri. /2lonline/