Haziri i ofron mbështetje Spitalit Rajonal që të jetë qendër që ndikohet në të mirë të pacientëve
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka qëndruar sot për vizitë në Spitalin Regjional të Gjilanit, ku është pritur nga drejtori, Besim Guda, si dhe një numër i madh i stafit profesional të mjekëve dhe infermierëve.
Pas takimit, në adresimin para mediave, kryetari Haziri ka falënderuar drejtorin Guda dhe stafin për prijen e ngohtë, ndërkaq është zotuar se Komuna do të mbështes të gjitha programet që përmirësojnë shërbimet shëndetësore.
“E falënderova drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm, stafin dhe mjekët për këtë pritje të ngrohtë që e kanë ndarë sot për ne si Komunë dhe sigurisht që ne do të mbështesim të gjitha programet dhe projektet që përmirësojnë shërbimet shëndetësore dhe kushtet edhe për pacientët, por edhe për stafin profesional të mjekëve dhe tiknikëve në mënyrë që të përmbyllet infrastruktura e domosdoshme”, tha Haziri.
Ai shtoi se do t’i qëndoj afër edhe ministrit Rrahmani dhe qeverisë së Kosovës, në mënyrë që Gjilani të vendoset në prioritet të mbështetjes dhe Spitali të përfitoj sa më shumë programe që sot i kanë të domosdoshme.
“Spitali i Gjilanit ofron të gjitha shërbimet, jo vetëm për Gjilan, është Spital i juglindjes së Kosovës dhe afër gjysmë milioni banorë janë në kujdesin apo në shëndetësinë sekondare që kërkojnë të gjitha llojet e shërbimeve këtu dhe kanë nevojë për mbështetje më të madhe. Do t’i rrij afër edhe ministrit dhe qeverisë së Kosovës në mënyrë që Gjilani të vendoset në prioritet të mbështetjes dhe Spitali të përfitoj sa më shumë programe që sot i kanë të domosdoshme. U përmenden tri nga to dhe besoj shumë që bashkarisht me drejtorin Guda dhe me stafin do të arrijmë të vendosim në prioritetet buxhetore për vitin e ardhshëm”, ka deklaruar ai.
Nga ana e tij, drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit, Besim Guda, ka falënderuar kryetarin Haziri për zotimin e tij për mbështetje me të gjitha mundësitë për këtë institucion shumë të rëndësishëm për qytetarët.
“Spitali i Përgjishëm i Gjilanit pati kënaqësinë që sot e vizitoi kryetari Haziri me bashkëpunëtorë, i cili u interesua për zhvillimet këtu dhe për mbarëvajtjen e punës. Ne kërkuam nga kryetari Haziri mbështetje në bashkërendimin e veprimeve që Spitali Rajonal i Gjilanit të jetë me të vërtetë një qendër referente, ku punohet, veprohet dhe ndikohet në të mirë të pacientëve të Gjilanit dhe më gjerë. Kryetari Haziri shprehu gadishmërinë e plotë për të na ndihmuar për të ecur në mënyrë të avancuar, që t’i zgjidhim të gjitha problemet që i kemi dhe këtë besojmë që do t’ia dalim edhe me ndihmën e ministrit Rrahmani në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Anamoravës”, ka thënë Guda./2L ONLINE/
