DYLON

Haziri i njofton investitorët e huaj për mundësitë e investimeve në Gjilan

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë sot në panairin ndërkombëtar “Investment Management Exhibition”, i cili po mbahet në Zurich të Zvicrës për tri ditë me radhë. Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtori i DZHE-së, Ismail Januzi.

Kryetari Haziri ka pasur një fjalë rasti në hapje të këtij panairi, i cili ka folur për atë se përse duhet të investohet në Gjilan, për mundësitë ideale të investimeve meqë ka një popullatë të re në moshë dhe të edukuar, duke shtuar se mesatarja e pagës së ulët është atraktive për investitorët.

EkoHigjiena

Kreu i Gjilanit ka shpalosur projektet e Komunës që përfshijnë gjetjen e investitorëve për ri-planifikimin dhe ri-dizajnimin e qendrës së qytetit, ndërtimin e objekteve banesore dhe afariste si dhe investime në rekreacion e shumë mundësi të tjera.

Haziri me këtë rast u ka ofruar investitorëve përkrahjen e plotë të tij, duke garantuar politika të favorshme fiskale.

“Gjilani ka një popullatë prej 91489 banorë rezident dhe më shumë se 50 mijë banorë jorezident që jetojnë në diasporë, të cilët i falënderoj dhe i aplaudoj për përkrahjen dhe investimet e bëra në Kosovë e në veçanti në Gjilan. Në fund, unë, si kryetar i Komunës së Gjilanit jam shumë i përkushtuar të mirëpres të gjithë investitorët e interesuar ndërkombëtar në zyrën time dhe në komunën tonë në mënyrë që të rrisim bashkëpunimin e ndërsjellë”, tha, ndër të tjera, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili e prezantoi komunën e Gjilanit në panairin ndërkombëtar “Investment Management Exhibition”, i cili ka nisur sot dhe do të mbahet në Zurich të Zvicrës për tri ditë me radhë./2L ONLINE/