Haziri, Haliti e Sinani urojnë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit shkollor 2015-2016
/2L ONLINE/ – Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2015-2016, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit. Në urim thuhet:
“Pas pushimeve ju, të dashur nxënës, riktheheni në bankat shkollore për të filluar edhe një vit të ri, të etur për të nxënë dituri dhe përvoja të reja. Këtë vit shumë fëmijë gjilanas nisin mësimin në klasë të parë, nisin rrugëtimin në botën e dijes dhe unë uroj, veçanërisht ata, e ju dëshiroj shumë sukses. Po ashtu, duhet vlerësuar në piedestal punën dhe sakrificën e mësimdhënësve, të cilët edhe në kohët më të rënda të okupimit e mbajtën gjallë arsimin shqip. Dua ta potencoj faktin se jam i kënaqur me përgatitjet që i ka bërë Drejtoria e Arsimit për fillimin sa më të mbarë të vitit të ri shkollor 2015-2016, ku janë bërë renovime në shumë shkolla.
Në nismë të vitit të ri shkollor, urime, përkushtim të plotë dhe sukses në rrugën e shkollimit tuaj”, thuhet në urimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.
Mesazh urimi nga kryetari Haliti lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor
Të dashur nxënës dhe shumë të respektuar mësimdhënës! Kam nderin që sot , në cilësinë e kryetarit të komunës së Vitisë, të ju uroj vitin e ri shkollor 2015/2016, më dëshirën që ky vit shkollor, të shërbej si nxitje për të vazhduar rrugën tonë të përbashkët për një ardhme të ndritur. Sot në veçanti dua të ju uroj suksese fatosave të cilët për here të pare do ulën në bankat shkollore, me shpresën që ata të vazhdojnë rrugëtimin drejtë diturisë së pafundme, pasi që ardhmëria e këtij vendi është e varur pikërisht nga ta. Gjatë këtij viti shkollor ju uroj të gjithë nxënësve tanë që të vazhdojnë përkushtimin me një vëmendje të veçantë për formimin, edukimin dhe arsimimin e shoqërisë sonë. Po ashtu uroj që mësimdhënësit tanë të vazhdojnë punën dhe angazhimin e tyre me plotë vullnet dhe seriozitet që të ndikojnë në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja ashtu që përmes dijes që ata japin nxënësve, të punojmë në zhvillimin e komunës sonë dhe në të mirën e përbashkët. Unë dhe bashkëpunëtorit e mi do të bëjmë çmos që të krijojmë kushte sa më të mira për mësim dhënie dhe mësim nxënie ashtu siç edhe e meritojnë nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Njëherit do vazhdojmë të punojmë në krijimin e infrastrukturës së më të mire shkollore dhe në ngritjen e cilësisë në shkollat e komunës sonë. Të nderuar mësimdhënës dhe të dashur nxënës, edhe një herë urime vitin e ri shkollor 2015-2016, paçi shëndet dhe suksese!
Viti, më 31.08.2015 Sokol Haliti Kryetar i Komunës së Vitisë
Kryetari Sinani uron për fillimin e vitit të ri shkollor 2015/2016
Të dashur nxënës, mësues, pedagogë, ju uroj me gjithë zemër këtë ditë të shënuar 1 Shtatorin ditën e parë të shkollës.
Uroj gjithashtu ata që shkollave i japin gjallërinë, jetën, u besojnë fëmijët, uroj pra prindërit, ata që për shkollimin e fëmijëve nuk kursejnë asgjë.
Uroj të gjithë shkollarët nga vocërrakët që për herë të parë do shkojnë në shkollë, deri tek ata që me 1 Shtator për herë të parë nuk do shkojnë në shkollë, sepse shkollën e kanë mbaruar, dhe për ta tash e tutje bankat e shkollës do jenë një nostalgji e bukur.
Shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye;
Një i ri i mirëshkolluar dhe i mirëedukuar që preokupohet për të ardhmen e vetes dhe të shoqërisë, është pakrahasimisht më i dobishëm dhe më i vlefshëm se një i ri i shkolluar dhe edukuar keq, i vetëkënaqur dhe i rehatuar.
Le të jetë ky vit shkollor, një vit i ngritjes në një nivel më të lartë të;
Cilësisë së shkollimit dhe edukimit, duke nisur nga themeli i gjithçkaje, edukata familjare,
Shtimit dhe respektimit të virtyteve njerëzore,
Rritjes së ndjeshmërisë të secilit mbi të drejtat dhe detyrat.
Ndërgjegjësimit për faktin se në shkollë mund të marrësh ose jo nota të mira, por vlerësimin përfundimtar ta jep ose nuk ta jep Jeta.
Me punë dhe këmbëngulje, me sakrifica dhe rezultate, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë vit shkollor.
Urime!
Me respekt:
Kryetari Komunës së Kamenicës
Begzad Sinani
