Haziri: Gjilani ka 23 raste të shëruara plotësisht nga Covid-19

Haziri: Gjilani ka 23 raste të shëruara plotësisht nga Covid-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit që ka mbajtur me Komitetin e Emergjencave, ka potencuar se Gjilani këto ditët e fundit është duke i kaluar me një qetësi në aspektin e rasteve me Covid-19, sepse nuk ka asnjë rast të ri.

“Nga takimi i sotëm është konfirmuar gjendje e qetë dhe pa raste të reja. Kemi konstatuar se nga 51 raste të infektuar, tashmë 23 raste janë të shëruar plotësisht. Dy të vdekur, tri raste janë të hospitalizuar dhe 23 raste janë në vetizolim. Gjatë ditës së sotme do të bëhen teste dhe urojmë që edhe këto të rezultojnë negative, sikur që këtyre ditëve kishim numër të madh të testeve negative”, ka thënë kryetai Haziri.

Ai ka thënë se 15 rastet e fundit që i kishte Gjilani, janë si pasojë e mospërfilljes së vendimeve të shtetit dhe rekomandimeve të ISHKP-së për masat mbrojtëse.

Kryetari Haziri, ka bërë të ditur punën e vazhdueshme që është duke u bërë për dëmet në sektorin e ekonomisë, konkretisht në bujqësi dhe sektorin privat gjatë përballjes me pandeminë.

Ndërkohë, duke folur për pakot sociale për familjet në nevojë, kreu i Gjilanit ka falënderuar donatorët për shpirtin e madh të solidaritetit në përballimin e kësaj pandemie.

KOMENTE