(2LONLINE) – ‘Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri është mbajtur sonte një koncert i madh para Teatrit të Qytetit, për nderë të gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Më lejoni që si njëri prej nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, si kryetar i Gjilanit, jam krenarë që jam para jush, para qytetarëve të mi, para bashkëkombasve, para familjes sime, të festoj gjashtë vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, kjo rrugë nuk ka përfunduar, përderisa nuk ia arrijmë qëllimit tonë, përderisa të vendosim barazi ekonomike, sociale, barazi për gjithë shqiptarët kudo që janë.
“Më lejoni sonte që përveç Gjilanit, t’i urojë Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, e kudo që jetojnë shqiptarët sepse festa pa ta është e mangët. Festa pa të drejtat e tyre nuk është e plotë. Festa pa veriun e Kosovës nuk është e plotë. Ne si gjilanas, e festojmë sonte pavarësisë më mirë se Prishtina, Peja e Prizreni, jo për dicka tjetër, por sepse ne jemi Anamoravë që e bashkon Karadakun e Gollakun, bashkon shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit Medvegjës, Gjilanit Kamenicës, Vitisë”, tha haziri.
Ai shtoi se në veçanti jemi të nderuar për të shënuar këtë përvjetor të madh dhe për të siguruar që do të ecim bashkë deri në realizimin e integrimit kombëtar.
“Jam në veçanti i nderuar që në këtë gjashtëvjetor, kthehem në Gjilan si i pari i qytetit, duke qenë në mesin tuaj, ansamblit të Gjilanit, doajenëve, rapsodëve dhe njerëzve si Demir Krasniqi dhe shumë emrave të tjerë që Gjilani u ka borxh për t’i vendosur aty ku e meritojnë. Ju siguroj që tash e tutje nuk do të ketë ndërtesa komerciale, këste 24 muaj e etj., por do të ketë emra të dëshmorëve, emra të përvjetorëve, data të mëdha dhe mbi të gjitha respektin për ata që sot na mungojnë – dëshmorët dhe heronjtë e kombit”, tha Haziri.
Më tje, ai ka shtuar se ky qytet është i Idriz Seferit, i Mulla Idriz Gjilanit, Agim Ramadanit dhe sonte i nderojmë të gjithë dëshmorët, familjet e tyre dhe sonte Gjilani i aplaudon këta tre emra të mëdhenj, që në mesin e tyre, janë edhe mijëra qytetarë, dëshmorë, martirë, që e meritojnë të përmenden.
“Gjilani ka dhënë altarin e lirisë, ka vënë themelet e lirisë dhe ne gjunjëzohemi para tyre. Në shtatë vjetorin e pavarësisë, në vitin e ardhshëm, këtu do ta kemi edhe Idriz Seferin së bashku me Agim Ramadanin . Do t’i kemi të gjithë ata që duhet t’i nderojmë sepse Gjilani është shtylla më e fortë e pavarësisë së Kosovës. Kjo shtyllë do të jetë e fuqishme, do të sigurojë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë se liria dhe pavarësia është për të gjithë dhe kudo që jetojnë shqiptarët do ta gëzojnë. Mos t’i harrojmë njerëzit si Ibrahim Rugova, presidentin themelues të pavarësisë e komandantin legjendar Adem Jasharin etj. Sonte jam i nderuar që po shoh mijëra njerëz duke festuar”, ka thënë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri. /2lonline/