DYLON

Haziri flet për investime të shumta që kanë nisur e do të vazhdojnë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Nën organizimin e klubit të gazetarëve “Beqir Musliu”, është mbajtur sot debati me temën ”Çfarë pritet të përfitojë nga projektet infrastrukturore Gjilani në vitin 2016”, ku panelist ka qenë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues nga shoqëria civile dhe kryetarët e këshillave të fshatrave.

Haziri ka thënë se sivjet veç kanë nisur projektet e mëdha, e që edhe përgjatë viteve tjera do të kemi në shumë e 26.5 milionë euro investime në infrastrukturë, kryesisht nëntokësore.

EkoHigjiena

“Këto investime Gjilani nuk i ka pasur për 15 vjet”, ka thënë Haziri para të pranishmëve.

Duke folur për ndërtimin e hyrje-daljeve të qytetit, kreu i gjilanasve ka pohuar se kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë për qytetarët, duke parandaluar edhe kolonat e mëdha në trafik, por në të njejtën kohë, tha se po bëhen sipas standardeve të larta.

“Programi i rrugës Gjilan-Bujanoc tashmë është duke u realizuar dhe do të ndërtohet deri tek “Drini”, pra me buxhet komunal. Ndërkaq, dy rrugët tjera, ajo Gjilan-Prishtinë (nga kanali e deri tek penda e Livoqit) dhe Gjilan-Livoq i Ulët-Cërnicë Kllokot (prej rrethit në qytet) do të ndërtohen me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës dhe BERZH-i”, u shpreh Haziri.

Haziri tha se gjatë viteve 2015-2016 janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në qytet dhe fshatra, duke përfshirë kanalizimet, ujësjellësin, ndërtimin e rrugëve të reja, hapje të rrugëve, rrugët e arave etj.

“Gypi kryesor i cili vije nga penda e Përpepnicës dhe kalon nëpër qytet, është i asbestit dhe është i ndaluar që të përdoret për shkak se është konstatuar se është kancerogjen. Pjesën më të madhe të këtij gypi e kemi ndërruar”, ka thënë Haziri.

Ai tha se vetëm programi i rehabilimit të rrjetit të ujit të pijshëm dhe ndërtimi të rrjetit sipas kërkesave të qytetarëve, kap vlerën e 3.6 milionë franga zvicerane, duke shtuar se donatorë për këtë është qeveria e Zvcirës në bashkëpunim me Komunën.

Ndërkaq, sa i përket kanalizimeve, i pari i Gjilani ka theksuar se Komuna e ka siguruar buxhetin nga Qeveria e Austrisë dhe pas nënshkrimit me qeverinë e Kosovës, i cili pritet të ndodhë shumë shpejt, do të implementohet.

“Veç ky program kap koston e 12 milionë euro dhe donator është qeveria e Austrisë. Me anë të këtij programi, parashihet që të përfundohet shtrati i “Mirushës”, “Stanishorkës” dhe ndërtimi i kanalizimimeve në zonën urbane dhe në fshatra. Këto investime parashihen të ndodhin gjatë tri viteve të ardhshme”, ka deklaruar në debatin e të hënës, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Po ashtu, Haziri ka paralajmëruar se këtyre ditëve do gjelbërohet pjesa te ish-ekzekutivi, pastaj tek “Atik” xhamia, tek lapidari i Reshat Ymeri në 7 korrik, sikurse edhe tek “Stahat kulla” dhe në lagjen “Arbëria”.

Kryetari Haziri theksoi se është duke punuar sa i përket hapjes së dy vendkalimeve kufitare në Dobrosin, Ranatoc dhe Stanqiq.

Ne debatin e sotëm ka kontribuar me pyetje, ide e rekomandime edhe Demir Krasniqi, Hekuran Aliu nga KCIC, Sheban Terziu sikurse edhe kryetarët e këshillave të fshatrave.

Kurse qytetarët secili nga këndi i tyre kanë shprehur shqetësimet që lidhen me jetën infrastrukturore në qytet e fshatra.

Demir Krasniqi ka shprehur brengën e Lumit Mirusha, derisa Shemsedin Elezi përfaqësues nga fshati Zhegër tha se projektet e komunës janë impresive dhe vërtet na kanë kthyer buzëqeshjen.

Shefket Bajrami nga Çeliku dha vërejtje se rruga e tyre dy kilometërshe nuk është asfaltuar asnjëherë. “Asnjë zyrtar komunal nuk e ka vizituar deri tashti fshatin Çelik. Si ta zhvillojmë turizmin kur nuk kemi përkrahje nga komuna” u shpreh ai.

Edhe Adem Rashiti përfaqësues i fshatit Malishevë tha se ky fshat nuk e ka përfituar asnjë investim nga kjo qeverisje.

Ramiz Isufi nga fshati Uglar tha se ky fshat është anashkaluar. “Kemi mbetur mbrapa si fshat sepse komuna nuk ka investuar asnjë cent tek ne” tha ai.

Hekuran Aliu nga KCIC tha se Gjilani ka probleme me menaxhimin e projekteve dhe cilësinë e tyre, meqë ato po përshkruhen me defekte të shumta.

Qamil Rexhepi nga Pograxha ka përgëzuar Lutfi Hazirin për përkushtimin e tij që ka treguar me fillimin e punimeve në rrugën Pograxhë – Malishevë derisa ka kërkuar që edhe ujësjellësi të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Për fund, kryetari Haziri tha se gjatë muajit gusht, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharkun, do ta organizoj edhe një debat në Gjilan lidhur me projektin detaj të Autostradës Gjilan-Prishtinë, sikurse edhe rrugët tjera të rëndësishme të cilat marrin buxhet të lartë, siç është ajo e Pogragjës dhe e “Rruga e Kumanovës”. /2L ONLINE/ ​